Akuzat e PD-së, Paloka: Rama po mbron Dakon

21/11/2017 14:35

Partia Demokratike përsëriti sot akuzën e bërë dje për kryetarin e bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako.

Edi Paloka tha se Rama po mbron kryebashkiakun. “Modeli dhe formula provohen nga përgjimi që disponon Prokuroria e Krimeve të Rënda, ku Vangjush Dako është regjistruar gjatë zgjedhjeve, duke u premtuar tendera kriminelëve më të rrezikshëm të Durrësit në këmbim të blerjes së votave. Por Edi Rama dhe Vangjush Dako nuk u japin asnjë shpjegim shqiptarëve. Qëllimi i tyre është të heshtin derisa të kapin plotësisht Prokurorinë. Marrja nën kontroll e prokurorisë dhe sistemit të drejtësisë e bën Vangjush Dakon të ndjehet i paprekshëm. Edi Rama po e trajton Kryetarin e Bashkisë së Durrësit njësoj si Saimir Tahirin. Po i jep mbrojtje politike nga drejtësia, sepse gjithçka dhe të gjithë lidhen me Edi Ramën”, tha Paloka.

Top Channel