Zimbabve, Mugabe pranon kushtet e dorëheqjes së tij

20/11/2017 10:54

Një burim zyrtar me njohuri të drejtpërdrejta mbi negociatat në Zimbabve i tha CNN-it se, Robert Mugabe, njeriu që e ka qeverisur vendin për dekada të tëra, ka rënë dakord me kushtet e dorëheqjes së tij, e për këtë qëllim është hartuar tashmë edhe një letër.

Burimi në fjalë sqaroi se gjeneralët kanë lëshuar pè te disa prej kërkesave të shumta të presidentit, duke përfshirë imunitetin e plotë për atë vet dhe për të shoqen, Grace.

Mugabe do të ketë gjithashtu mundësinë të mbajë edhe pronat e veta private. Sipas burimit, qëllimi i fjalimit televiziv të së dielës, në të cilin Mugabe u duk se po u rezistonte thirrjeve për të bërë mënjanë, ishte që udhëheqësi veteran të deklaronte haptazi se veprimet e ushtrisë janë kushtetuese.

Procedura e kërkon që, për dorëheqjen zyrtare, më së pari t’i dërgohet një letër kryetarit të Parlamentit. Mugabe e tronditi kombin të dielën, kur nuk pranoi të thoshte hapur nëse do ta linte apo jo pushtetin, edhe pse ishte braktisur edhe nga vet partia e tij, që i vuri si kusht dhënien e dorëheqjes deri mesditën e së hënës, në të kundërt të përballej me shkarkimin.

Të shtunën me mijëra persona dolën nëpër rrugë, duke i kërkuar të lërë postin, e fjalimin e tij një ditë më vonë, ku 93-vjeçari këmbëngulte se nuk do të shkojë askund, disa e quajtën një “turp të madh”.

|Ky njeri kërkon të shkojë në varr me Zimbabven në duart e tij”, tha për CNN-in një banore e Hararës. Robert Mugabe ka qenë në arrest shtëpie, që nga java e kaluar, ndërsa po zhvilloheshin negociata për largimin e tij.

Top Channel