Raundi i dytë i zgjedhjeve lokale në Kosovë përfundoi me rezultate të papritura duke ndryshuar hartën elektorale si kurrë më parë.

Me rezultatet përfundimtare që nuk janë shpallur ende, priten ndryshime të tjera. Sipas votave të numëruara deri më tani, humbësja më e madhe e këtyre zgjedhjeve, raporton “Koha Ditore”, është PDK-ja e Kadri Veselit.

Ajo do të qeverisë me vetëm 5 prej tyre, pasi ka humbur pushtetin në 6 të tjera, përfshirë Prizrenin. Ky i fundit përmbysi rezultatin duke nxjerrë fitues Mytaher Haskukën e Vetëvendosjes. Partia Demokratike e Kosovës humbi gjithashtu komunat Kamenicë, Vushtri, Klinë, Rahovec e Skënderaj.

LDK është ajo që fitoi numrin më të lartë të komunave, 8 të tilla, ndërsa AAK mori një më pak. Megjithatë, partia e Ramush Haradinaj mund t’i gëzohet suksesit të fitores së 4 komunave të reja, përfshirë Gjakovën të cilën ia rrëmbeu Mimoza Kusari Lilës. Vetëvendosje fitoi bindshëm Kamenicën, ndërsa në Prizren dhe Prishtinë, ku nxitoi të shpallte triumfin, ende nuk e ka të sigurtë qeverisjen.

Nga rreth 7 mijë vota diferencë në raundin e parë, Arban Abrashi e ka ngushtuar diferencën në vetëm 237 vota me Shpend Ahmetin. Një gabim teknik i KQZ-së që është bërë gjatë futjes së të dhënave të rezultateve paraprake ka bërë që rezultati mes kandidatëve për Prishtinën të ndryshojë dukshëm.

Mediat kosovare raportojnë se kryetari i Prishtinës, por edhe ai i Prizrenit do të mësohet pas numërimit të votave të hedhura para kohe që pritet të bëhet brenda 3 ditëve. Pas njoftimit teknik të KQZ, përfaqësuesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës kërkuan rivotim në kryeqytet.

Top Channel