Sot në zonën e Bulqizës janë mbi 35 liçenca për nxjerrjen dhe përpunimin e kromit. E megjithatë, banorët e Bulqizës kanë qenë dhe kanë mbetur të varfër.

Përse Bulqiza nuk arrin dot të përfitojë nga pasuria që fshihet poshtë saj? Kush po pasurohet me të dhe përse qeveritë janë të paafta dhe të pavullnetshme për të shpërndarë milionat që nxirren prej nëntokës së saj?

Për të folur për këtë çështje, të ftuar në takimin e radhës të emisionit “Top Story” kanë qenë: Përparim Spahiu, deputet i LSI; Samir Mane, biznesmen; Mehmet Hasanlami, drejtor i minierave pranë MEI; Agron Gjekmarkaj, analist.

Në fjalën e tij, Gjekmarkaj ka deklaruar se, Bulqiza është pamja e vërtetë e Shqipërisë dhe jo ajo që paraqitet në rrjetet sociale, ku publikohen qoshe të përzgjedhura.

“Atje fëmijët dërgohen për t’u bërë burra që në moshën 9 vjeç. Kjo tregon se sa të varfër jemi ne”, ka thënë Gjekmarkaj, i cili ka fajësuar edhe qeverinë për keqmenaxhimin e pasurive natyrore.

“Kromi është një pasuri kombëtare, por kjo qeveri nuk e ka dashur biznesin si partner por si klient dhe kjo marrëdhënie nuk është bazuar tek rregullat, por mbi hilet, duke bërë që të përfitojë një grup shumë i vogël”, ka thënë Gjekmarkaj.

Nga ana tjetër, ka vijuar ai, qeveria aktuale ka nxjerrë formulën PPP. “Mendoj se është formula më korruptive e hartuar ndonjëherë në Shqipëri, sepse bizneset përzgjidhen”, ka shtuar Gjekmarkaj.

Në të njëjtat linja, Spahiu ka akuzuar qeverinë se nuk ka qenë e aftë të menaxhojë këtë pasuri, duke bërë që situata e minatorëve të jetë shumë e rëndë. Gjithashtu, deputeti i LSI për zonën e Bulqizës ka akuzuar mazhorancën aktuale se nuk ka vullnet të miratojë statusin e minatorit.

“Situata e minatorëve është shumë e rëndë, ekstremisht e rëndë dhe një nga hapat e parë që i takon një deputeti është statusi për një profesion mjaft të vështirë. Duhet të ishte miratuar shumë më parë. Shteti s’ka bërë asgjë”, ka deklaruar Spahiu, i cili ka akuzuar qeverinë se nuk ka bërë një ndarje të drejtë të fitimeve që vijnë nga kromi.

Ndryshe nga sa u tha më sipër, drejtori i minierave pranë Ministrisë së Industrisë, Mehmet Hasanlami ka deklaruar se zhvillimi i Bulqizës është real dhe ajo që u paraqit nga emisioni “Le Iene” nuk përputhet me realitetin. Ai ka akuzuar deputetin Spahiu se, për interesat e tij politike nxin situatën në Bulqizë, ndërsa analisti Gjekmarkaj, sipas tij, nuk e njeh situatën atje.

“Në qytet dhe në strukturën brenda minierës është një situatë tjetër. Aty jetohet, aty punohet dhe ka një zhvillim mbimesatar, sepse paga e një minatori është rreth 72 mijë lekë të reja”, ka thënë Hasanlami.

Ai ka thënë se, mbledhja e kromit e publikuar në mediat italiane bëhet jashtë zonave minerare të miratuara. “Pra, nuk është mineral, por tek-tuk mund të gjendet ndonjë mineral. Asnjë minator që punon nuk nxjerr fëmijët të mbledhin krom. Qeveria ka bërë investimet e duhura”, ka thënë Hasanlami.

Ndërsa biznesmeni Samir Mane, pronar i kompanisë “AlbKrom” që menaxhon minierat e Bulqizës, ka bërë një ekspoze të investimeve që janë bërë atje, si për infrastrukturën ashtu edhe për pagat e minatorëve.

“Minierën e kemi marrë në fund të 2012-s, me vështirësitë e veta të momentit. Dy koncesionarët e mëparshëm dështuan. Aktualisht kemi mbi 1 mijë punëtorë, me palën kineze nënkontraktore. Disa elementë të rëndësishëm janë siguria dhe investimi që zgjat jetën e minierës deri në 30 vjet. Kjo ishte kërkesa e parë. Në 2013 ne filluam të mendonim për pusin dhe aktualisht jemi në përfundim të projektit me vlerë 22 mln euro. Sot rroga më e lartë për minatorët është 87 mijë lekë të reja, pastaj ka edhe kontribute për ushqimin dhe gjëra të tjera. Gati 1 milion dollarë në muaj është fondi i pagave. Ndërsa vlera totale e investimit është 34 milionë dollarë. Deri në 2021 mund të shkojë në 55 milionë. Po bëhet një investim tjetër prej 14 milionë dollarë për ajrimin e minierës”, ka thënë Mane.

Mehmet Hasanlami u shpreh se realiteti i Bulqizën nuk është ai i paraqitur. Bulqiza, thotë ai, është zhvilluar vitet e fundit nga kromi. “Realiteti nuk është ai që është paraqitur. Është zhvilluar nga kromi. Me politikat e qeverisë është synuar përmirësimi i këtij qyteti. Miniera është masakruar para 2013, nga viti 2015 ne kemi revokuar 35 licenca minerare të dhëna padrejtësisht. Kemi revokuar mbivendosjet në miniera”.

Sa i përket aksidenteve, Hasanlami është shprehur se numri i tyre ka rënë ndjeshëm në vitet e fundit. Lidhur me aksidentet pas 2013, numri i tyre ka rënë ndjeshëm. Në ligjin e përmirësuar integruam edhe përgjegjësit që ka administratori i kompanisë lidhur me aksidentet, para 2013 përgjegjësia mbahej vetëm nga drejtuesi teknik. Janë bërë bashkëpërgjegjës. Në vitin 2016 kemi pasur vetëm një aksident, ndërsa këtë viti kemi pasur vetëm 2 aksidente në të gjithë vendin dhe 3 shtetas kinezë”, tha Hasanlami.

Për sigurinë foli edhe Samir Mane, i cili tha se kompania që ai drejton ka rrethuar zonën që shfrytëzon. Mane tha se kompania e tij është e gatshme të marrë pjesë në donacione për përmirësimin e qytetit. “Ne kemi rrethuar pjesën tonë që kemi leje. I bëjmë ne donacionet e bashkisë për të rrethuar stoqet e kromit. Ne jemi gati të marrim pjesë në donacione që përmirësojmë jetën e qytetit”.

Deputeti i LSI, Spahiu u shpreh se Bashkia e Bulqizës e ka të pamundur për të investuar për përmirësimin e jetës së qytetit pasi taksat ndaj kompanive janë shumë të vogla. “Kompanitë paguajnë vetëm 150 mijë lekë të reja. Bashkia e Bulqizës e ka të pamundur për të investuar. Renta minerare t’i kalojë bashkive”, tha ai. Por për Hasanlamim bashkia merr dhe shumë taksa të tjera dhe duhet t’i administrojë më mirë.

Top Channel