Skandal në Dropull, bashkia i jep leje gurores në kundërshtim me ligjin

20/11/2017 20:47

Bashkia e Dropullit jep në shkelje të plotë të ligjit dhe jashtë kompetencave një leje të thjeshtë për nxjerrjen e 100 m3 gur të kuq në zonën e quajtur Mushaja dhe në Derviçan.

Sipas ish-kryeinspektorit të ISHPM-së Gjirokastër, Kristaq Thimio, kjo leje i është dhënë shtetasve Vangjel Liçi dhe Grigor Tavo. Por pavarësisht lejes, në dukje për sasi të vogël, dëmi mjedisor i shkaktuar është shumë herë më i madh.

“Fiks Fare” ishte në vendngjarje, ku dallohej me shkatërrimi i bërë aty, ku më parë pretendohet se kishte kullota dhe pyje.

Dy persona, të cilëve në mënyrë të jashtëligjshme u është dhënë kjo leje shfrytëzimi, aktualisht janë në hetim nga policia dhe prokuroria dhe pritet vetëm përgjigjia e Inspektoriatit për të vlerësuar dëmin e shkaktuar, i cili pretendohet të jetë tek 4 hektarë.

Të dy individët, siç ka rezultuar nga verifikimet e bëra, nuk kanë leje shfrytëzimi as nga AKBN dhe as nga Ministria e Mjedisit. Sipas ISHPM-së, ndaj këtyre personave është marrë edhe masa administrative me gjobë nga 5 milionë lekë secili.

Sipas ligjit, për shfrytëzimin e sipërfaqeve deri në 1 hektar leja merret pranë Ministrisë së Mjedisit, me urdhër të ministrit. Ndërsa për sipërfaqe mbi 1 hektar, leja merret pranë Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore.

Në këtë rast ka vetëm një vërtetim dhe një leje të dhënë për përdorim personal nga Bashkia e Dropullit, për nxjerrjen e 100 m3 gur të kuq.

I pyetur nga “Fiks Fare”, kryetari i bashkisë, Ahilea Deçka, i cili nuk pranoi të jepte një intervistë, tha se nuk ka firmosur gjë dhe se firmën e ka hedhur nënkryetari.

“Nuk e dinim që nuk na lejohej! Erdhi KLSH dhe na tha që s’na lejohet”, deklaroi Deçka. Ai theksoi se, dy vjet janë shumë pak që ata t’i dinë ligjet dhe shtoi se për këtë duhet të flasë nënkryetari që edhe e ka firmosur.

“Fiksi” kontaktoi edhe nënkryetarin Mihal Mano, por ai përveç se nuk pranoi të jepte një intervistë, u shpreh i irrituar nga përfshirja e gazetarëve të “Fiksit” në këtë histori. Ai tha se, ajo ka qenë një gurore e vjetër dhe se aty nuk është bërë asnjë shkeljë, apo krim mjedisor.

“Personat që e kanë, thjesht po e shfrytëzojnë për nevoja personale. Ne kemi vepruar, siç bënin edhe komunat. Këtu jemi ne zotër dhe e dimë vetë. Aty nuk ka dëm, apo krim mjedisor”, pohoi Mano.

FOTO GALERI
2/7

Top Channel