Pas rreth një muaji pritjeje, Prokuroria e Krimeve të Rënda do të ketë në dorë të përkthyer dosjen “Habilaj”.

Ministrja e Drejtësisë thotë se dosja prej 1800 faqesh, një pjesë të së cilës e publikoi Top Channel, ka vetëm 10 ditë që ka mbërritur dhe do të dorëzohet në Prokurorinë e Krimeve të Rënda brenda ditës së hënë.

“Ne kemi kryer procedurat sipas ligjit. Është një dosje voluminoze, besoj sot do t’ja transmetojmë prokurorisë. Dosja ka ardhur para disa ditësh, 10 ditësh. Ka përfunduar përkthimi dhe besoj do ta dorëzojmë sot”, deklaroi ministrja Gjonaj.

Prokuroria e Krimeve të Rënda i pati lënë një afat 2-javor Ministrisë së Drejtësisë për përkthimin e dosjes voluminoze, por mesa duket mes institucioneve nuk ka patur rakordim mbi mbërritjen e përgjimeve të italianëve.

Pak javë më parë nga Prokuroria e Katanias doli një përmbledhje me 416 faqe, të cilat Top Channel i publikoi. Në bazë të saj, Gjykata e Katanias dha masën e ndalimit me burg për Moisi Habilajn, i arrestuar për trafik ndërkombëtar droge.

Në dosjen, tashmë publike, përmendet emri i ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri gjatë bisedave të trafikantëve dhe në një rast është identifikuar kur shpjegohet pronësia e mjetit Audi.

Tashmë prokurorët do të kenë material të bollshëm për të vijuar hetimet mbi dosjen “Habilaj” dhe përfshirjen ose jo të ish-ministrit Tahiri.

Top Channel