Orest Sota mbetet në burg, Prokuroria: Paratë e gjetura, të Saimir Tahirit

20/11/2017 12:55

Gjykata e Krimeve të Rënda la në arrest me burg Orest Sotën, që akuzohet për katër vepra penale: pastrim parash, fshehje e të ardhurave, kundërshtim i policisë dhe drejtim mjeti në gjendje të parregullt.

Për shkak se çështja hetimore e tij e konstatuar në Elbasan është bashkuar me dosjen “Habilaj”, prokurorët i thanë gjykatës se 863 mijë eurot e sekuestruara në makinë ka dyshime që i përkasin ish-ministrit Saimir Tahiri.

Ka dyshime, thanë dy prokurorët, se kjo valutë është përfituar nga ish-ministri nga aktivitete të paligjshme.

Prokurorët shpjeguan se Orest Sota u arrestua pasi i kishte ikur një postblloku të Policisë së Elbasanit, ndërkohë që në mjetin me të cilin ai udhëtonte u gjetën edhe 863 mijë euro mes tyre, edhe 250 euro false, si dhe dy patentat e ish-ministrit Tahiri.

Por, avokatët e Orest Sotës i thanë Gjykatës se posedojnë dokumenta që vërtetojnë bashkëpunimin financiar mes kompanisë “Kurum” dhe shoqërisë “Ikona”.

Gjatë një interviste për Top Channel, avokati kundërshtoi edhe dëshminë kyçe të administratores së “Kurum”, e cila këmbëngul se “Kurum” nuk pranon garanci para të thata.

“Ajo që nxorri prokuroria edhe si dëshmitare në kërkesën për masën e sigurimit, ajo nuk ka lidhje fare me bisedat që janë bërë me Lefter Sotën, nuk ka lidhje me gjithë këtë transaksion. Prokuroria thjesht ka gjetur një person për të pyetur. Le të marrë të gjitha bisedat që ka bërë i biri, bashkë me punonjësit e Kurum dhe t’i ezaurojë nëse është folur për këtë apo jo”, deklaron avokati i Orest Sotës, Fatmir Braka.

Sipas avokatit, ka edhe përgjime ku Orest Sota flet për patentat e ish-ministrit për të cilat i riu nuk dinte gjë.

“Prokuroria bën atë lidhjen imagjinare që është bërë bajate, të gjentjes së dy patentave në kroskotin e makinës, kur i biri i Lefter Sotës, pra Orest Sotës nuk ishte në dijeni fare dhe kjo del në përgjimet telefonike dhe ambientale”, thotë avokati Braka.

Pritet që mbrojtja të apelojë vendimin në Gjykatën e Shkallës së Dytë.

Vetë ish-ministri i brendshëm Saimir Tahiri pas kthimit të tij nga Gjermania mëngjesin e së hënës, nuk bëri asnjë koment për çështjen Sota dhe arsyet e udhëtimit të tij në Gjermani.

Largimi i ish-ministrit nën hetim, ndërkohë që Prokuroria nuk e kërkoi bllokimin e pasaportës, ngriti shumë pikëpyetje për arsyet e këtij udhëtimi.

Top Channel