Gjermania, pa qeveri. Merkel dështon në bisedimet për koalicion

20/11/2017 09:36

Bisedimet për krijimin e një qeverie koalicioni në Gjermani dështuan, pas tërheqjes së liberalëve të FDP-së, gjë që fanit për Merkelin fantazmën e përsëritjes së zgjedhjeve.

Kreu i FDP-së, Christian Lindner tha se nuk kishte “bazë besimi” me bllokun konservator CDU-CSU të Kancelares dhe me Partinë e Gjelbërt.

“Është më mirë të mos qeverisësh sesa të qeverisësh keq”, deklaroi ai. Se çfarë do të ndodhë tani, kjo është e paqartë, por kryetarja e qeverisë gjermane pritet të takohet gjatë ditës me Presidentin Frank-Ëalter Steinmeier, i cili ka fuqinë të thërrasë zgjedhje të menjëhershme.

Blloku i Merkelit i fitoi zgjedhjet e muajit shtator, por shumë prej votuesve gjermanë i braktisën partitë kryesore, e për herë të parë në Bundestag, këtë radhë arritën të hynin edhe nacionalistët e ekstremit të djathtë.

Fill pas triumfit atëherë, “AfD”-ja u zotua të luftojë ndaj atij që e quajti “pushtim i vendit nga të huajt”. Merkel shprehu keqardhjen për shembjen e bisedimeve, e sqaroi se do ta takojë kreun e shtetit për t’ia njoftuar zyrtarisht këtë zhvillim.

“Është një ditë reflektimi i thellë mbi mënyrën sesi Gjermania mund të shkojë përpara. Si kancelare, unë do të bëj gjithçka mundem për të siguruar që vendi të menaxhohet sa më mirë në këto javë të vështira që na presin”, tha Merkel.

Skenari tjetër i mundshëm, përpos zgjedhjeve të parakohshme, është edhe krijimi i një qeverie të pakicës me të gjelbrit, të cilët nuk kanë bërë ende asnjë koment.

E përditshmja gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” e quajti këtë zhvillim krizën më të keqe për kancelaren në 12 vite qeverisjeje. Partia e dytë më e madhe në Parlament, ajo socialdemokrate e ka përjashtuar që në fillim mundësinë e rikthimit në një qeveri koalicioni me Merkelin.

Top Channel