Ligji që ishte në fuqi nga viti 1999 deri në 2009 për ushtarakët parashikonte një formulë përllogaritjeje që nxirrte pension të parakoshëm të lartë.

Sipas kësaj formule, ka pasur ushtarakë që kanë marrë pension të parakohshëm më shumë se sa rroga e tyre. Sigurimet shoqërore pranojnë të njëjtën formulë përllogaritjeje, por duke i vënë një tavan.

Pra, që pensioni i parakohshëm i ushtarakëve të mos kalojë pensionin më të lartë të pleqërisë. Gjykata e Lartë dhe ajo Kushtetuese i dhanë të drejtë sigurimeve shoqërore.

Ata që kanë marrë pensione përtej pensionit maksimal të pleqërisë, diferencën duhet ta kthejnë mbrapsht. Por për çfarë shifrash bëhet fjalë?

“Arrijnë në 30 milionë, 37 milionë. Në bazë të këtij vendimi të Gjykatës Kushtetuese, që miratoi shtrembërimin e ligjit nga Gjykata e Lartë, sigurimet shoqërore mund të hapin gjyqe dhe të fitojnë për kthimin e shumave mbrapsht. Ushtarakët bëhen sërish debitorë, por kësaj radhe me shuma më të mëdha, saqë jeta e tyre nuk u del për ta shlyer”, deklaron Thoma Konduri, kryetar i Shoqatës së ish-Ushtarakëve.

Konduri përdor një term ushtarak për situatën. Ai e quan “mësymje ndaj ushtarakëve”. “Sigurimet shoqërore janë pjesë e qeverisë dhe është kjo qeveri që nxit ose nuk ndalon këtë mësymje të shfrenuar ndaj ushtarakëve. Kështu që rruga jonë e vetme mbetet Gjykata e Strazburgut, të cilës do t’i drejtohemi kolektivisht dhe individualisht”, thotë Konduri.

Top Channel