Icardi, goleadori i Interit. Plot 91 gola me zikaltrit

20/11/2017 12:48

Mauro Icardi është njeriu i Interit këtë sezon. Sulmuesi argjentinas ishte autori i golave të zikaltërve në fitoren 2-0 ndaj Atalantës, për të qëndruar pranë Napolit kryesues të Serie A.

Tashmë numrat flasin për futbollistin 24-vjeçar, i cili po i afrohet shifrës së 100 golave me fanellën e Interit. Në fakt, shifra e saktë e golave të shënuar deri tani nga Icardi me zikaltrit është 91, 84 nga të cilat i ka shënuar në Serie A. E të mendosh se, përpara ndeshjes Icardi kishte probleme me gjurin, por që me sa duket rezultuan të parëndësishme për të.

“Kjo me Atalantën ishte një fitore e rëndësishme, duhej të fitonim dhe ia dolëm, – tha Icardi pas ndeshjes. – Varemi vetëm nga vetja jonë dhe ky ishte rezultati që na duhej. Për sa u përket problemeve me gjurin, ndieva pak dhimbje dhe tendina më bezdisi, por nesë vazhdoj të shënoj, për mua gjithçka është në rregull”.

Interi është tashmë plotësisht në garën për titull, por Icardi thekson se është ende herët për të folur për këtë.

“Edhe përpara dy viteve, në periudhën e Krishtlindjes ishim të parët, por më pas pësuam rënie drastike, – vijoi Icardi. – Ne duhet të vazhdojmë në këtë rrugë dhe llogaritë do t’i bëjmë vetëm në muajin maj, kur do të shohim nëse do të kemi ruajtur pozitat kryesuese”.

Top Channel