Komisioneri për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e Mirë, Johannes Hahn ka zhvilluar këtë të hënë një vizitë në Shkup, ku është takuar me faktorin politik shqiptar.

Hahn ka zhvilluar takime me krerët e partive shqiptare të koalicionit, Ali Ahmeti dhe Zijadin Sela, takime të cilat vetë ai i ka cilësuar si pozitive.

“Bisedime pozitive me liderët e partive partnere të koalicionit qeveritar. Theksova se stabiliteti i koalicionit trepalësh dhe qasja ndaj opozitës janë thelbësore për të punuar në mënyrë konstruktive për implementimin e reformave të integrimit në BE”, ka deklaruar Hahn në profilin e tij në Twitter.

Po në rrjetet sociale, Hahn ka njoftuar edhe për një takim me lidershipin e partisë opozitare VMRO, të kryesuar nga Nikolla Gruevski, ku në fokus kanë qenë sërish reformat për anëtarësimin në BE. “Progresi në rrugën drejt BE-së është në interes të qytetarëve”, ka thënë Hahn.

Top Channel