Gjermani, presidenti “i tërheq veshin” politikës

20/11/2017 16:36

Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier u bëri thirrje udhëheqësve politikë në Gjermani që të rishqyrtojnë pozicionet e tyre, një ditë pas kolapsit të bisedimeve për koalicion, që kanë shkaktuar krizën më të rëndë politike në vend prej dekadash.

Pasi diskutoi me Kancelaren Angela Merkel, Steinmeier tha se do të takojë të gjithë krerët e partive të tjera këtë javë. Ai nxiti politikanët që të jenë fleksibël, në mënyrë që të shmanget qeveria e pakicës, apo zgjedhjet e parakohshme.

“Do të kishte paqartësi dhe shqetësim të madh brenda dhe jashtë vendit tonë, sidomos në Europë, nëse forcat politike në shtetin më të madh dhe më të fortë ekonomikisht të kontinentit nuk përmbushin dot përgjegjësitë e tyre”, deklaroi Steinmeier.

Ishte Partia e Lirë Demokratike që i dha fund bisedimeve për koalicion, pasi kreu i saj Christian Lindner tha se nuk ka bazë besimi mes forcave politike.

Kriza është kërcënimi më serioz ndaj Merkel, që kur ajo u bë Kancelare në vitin 2005. Merkel deklaroi se kriza solli një ditë reflektimi të thellë për progresin e Gjermanisë, ndërsa premtoi se do të bëjë gjithçka mundet që vendi të manaxhohet siç duhet.

Nëse politika nuk arrin asnjë marrvëshje, me gjithë nxitjen e presidentit, ky i fundit mund të shpërbëjë Parlamentit dhe të thërrasë zgjedhje të reja.

Top Channel