Kongresmeni amerikan pro shqiptarëve, Eliot Engel u prit me nderime të larta në Prishtinë, ku kryeministri kosovar Ramush Haradinaj e falënderoi për kontributin dhënë pavarësisë së vendit e i dorëzoi simbolikisht pllakën e argjendtë me vulën nga Posta e Kosovës, e konceptuar si vlerësim i veçantë për të.

“Engel ka qenë mbështetës i Kosovës ndër vite, – kujtoi Haradinaj, – e është angazhuar maksimalisht”. “Shqiptarët, sipas kreut të ekzekutivit kosovar, – do t’i jenë gjithmonë mirënjohës për kontributin e tij historik”.

Vet Engel tha se do të përpiqet që Amerika të ketë një përfshirje të sigurtë në Ballkan e Kosovë.

“Shtetet e Bashkuara duhet të përfshihen medoemos, edhe pse kjo është çështje e Bashkimit Europian. Jam goxha i zhgënjyer me qëndrimin e qeverisë serbe ndaj Kosovës. Kosova ende nuk është pjesë e OKB-së për shkak të telasheve nga Serbia dhe nga Rusia. Beogradi i ka bllokuar edhe hyrjen në agjenci të ndryshme si INTERPOL. Në UNESCO, Kosova humbi për 3 vota. Po i them këto, sepse janë dy vende, Serbia dhe Kosova, që nëse po përpiqen të punojnë së bashku për ecjen përpara drejt BE-së, atëhere njëri shtet nuk duhet të minojë kërkesat e tjetrit”, tha Engel.

“Kosova do t’i ketë Shtetet e Bashkuara gjithmonë në krah”, shtoi ai, ndërsa u shpreh kundër mbajtjes peng të vendit për shkak të demarkacionit. Haradinaj, nga ana tjetër, kërkoi mbështetjen e Uashingtonit në lidhje me liberalizimin e vizave dhe procesin e dialogut me Serbinë.

Top Channel