Calvin Klein feston 75-vjetorin e lindjes

20/11/2017 10:47

Ndryshe nga ditëlindjet e mëparshme, 75-vjetorin e tij Calvin Klein e kaloi pa zhurmë e bujë. Dizajneri i famshëm për fushatat publicitare provokuese dhe efikase, dikur pati qenë frekuentues i rregullt i klubeve më të famshme të Nju Jorkut, ku në vitet 1970, një industrialist e pyeti nëse mund të skiconte një model të ri xhinsesh.

Klein doli me idenë e xhinseve tub. Edhe pse gjatë prezantimit, xhinset e ngjitura pas trupit shkaktuan një miniskandal, shumë shpjet ato filluan të shiteshin me një ritëm marramendës.

Klein e nisi me thyerje tabush, e ashtu e vazhdoi edhe karrierën e tij. Reklama e të mbathurave, prezantuar nga këngëtari dhe aktori Mark Wahlberg e trazoi opinionin publik të viteve 1990, të pamësuar me pamje të tilla, që sot janë mëse të zakonshme.

Klein po kështu katapultoi në majat e famës Kate Moss, asokohe një modele e re, shumë e dobët dhe larg bukurisë ideale të kohës. Bashkëpunimi me dizajnerin e madh e ngriti britaniken në statusin e ikonës, të cilin e gëzon ende.

“Logoja ‘CK’ filloi të përhapej më tej edhe në fushën e parfumeve, – kujton “Deutsche Welle”, – me marka të tilla si ‘Eternity’, ‘Obsession’ dhe sidomos ‘CK One’, parfumi i parë uniseks”.

Klein, i lindur në Bronx nga prindër emigrantë hungarezë, studioi modë dhe dizajn në “Fashion Institute of Technology” (FIT) të Manhattanit. Firmën e parë e hapi në vitin 1968 me një investim prej 2.000 dollarësh, e në vitin 2003 e shiti për 400 apo 500 milionë dollarë.

Top Channel