Zgjedhjet në Kosovë; Exit Poll: Ahmeti fiton Prishtinën

19/11/2017 19:19

Rreth 40 për qind e mbi 1 milion e 300 mijë qytetarëve me të drejtë vote morën pjesë në raundin e dytë të zgjedhjeve për pushtetin komunal në Kosovë.

Votimet u mbajtën në 19 komuna të vendit, ndërsa në komunën e Parteshit të banuar me shumicë serbe u përsëriten zgjedhjet e anuluara, pas parregullsive të regjistruara në raundin e parë.

Në përfundim, KQZ ka dhënë edhe rezultatet e para, me Prishtinën që rikonfirmohet në duart e Shpend Ahmetit, Mitrovicën që fitohet nga kandidati i AKR, Agim Bahtiri, AAK në Gjakovë, VV në Prizren, etj.

Mbi 12 mijë vëzhgues vendas e ndërkombëtarë ndoqën procesin e votimeve dhe sipas tyre nuk janë regjistruar incidente të një shkalle që mund të dëmtonte procesin. Vëzhguesit thonë se edhe në raundin e së dielës janë përsëritur parregullsitë tradicionale, siç janë votimet familjare, përpjekjet për votim të dyfishtë etj.

Autoritetet vendase gjatë tërë ditës bënë thirrje për proces të qetë të votimeve. Ishin gjithsej 38 kandidatë të partive politike që konkurruan për postet e kryetarëve të komunave ndërsa një konkurrencë më e ashpër në këto zgjedhje u zhvillua në Prishtinë, Prizren, Gjakovë, Mitrovicë e Ferizaj, ndërsa fushata që u parapriu votimeve të sotme, është përshkuar nga një gjuhë më e ashpër sesa në raundin e parë të zgjedhjeve.

Në vëzhgimin e zgjedhjeve ishin përfshirë edhe rreth 70 vëzhgues të Bashkimit Evropian, të cilët thonë se procesi zgjedhor ishte i qetë dhe demokratik. Prokuroria e Kosovës ishte përshirë në ditën e zgjedhjeve për të siguruar veprimet ligjore ndaj çdo përpjekjeje për keqpërdorimin e votës, ndërsa policia e Kosovës kishte hartuar plan të veçantë për të siguruar një proces të qetë.

I kontaktuar nga Top Channel, zëdhënësi i KQZ Valmir Elezi, deklaroi se procesi i votimit është zhvilluar i qetë dhe pa incidente që mund të cenojnë integritetin e zgjedhjeve.

“Ka shkuar shumë mirë, nuk ka pasur asnjë incident që cenon integritetin zgjedho. Nga 95 përqind të të dhënave, pjesëmarrja 499 mijë qytetarë kanë votuar, 38.25%. Krahasuar me raundin e parë, pjesëmarrja ka qenë më e ulët, pasi pjesëmarrja ka qenë 44%”, u shpreh Valmir Elezi.

Top Channel