Shkolla e çentrove; Një qendër komunitare për fëmijët e Shkozës

19/11/2017 19:48

Shkolla “Androkli Kostallari” në Shkozë të Tiranës është nga të paktat shkolla, që pas mësimit kthehet në qendër komunitare. Pas anglishtes, kursi i preferuar këtu janë punimet me dorë. Është e habitshme sesi kjo traditë e vjetër, është përqafuar me kaq dashuri nga vajzat e vogla të komunitetit.

Shkolla “Androkli Kostallari” në Shkozë të Tiranës është shkollë paradite dhe qendër komunitare pasdite. Fëmijët që grumbullon qendra komunitare vijnë edhe nga shkolla të tjera.

“50% janë fëmijë të shkollës, 50% vijnë nga shkollat e tjera”, u shpreh Genta Dollia, Drejtoreshë e shkollës “Androkli Kostallari”

Qendra komunitare ofron kurse për artin, kërcimin, pikturën dhe në veçanti për artizanatin. Kurset ofrohen nga vullnetarë, siç është kjo studente.

“Bëjmë punime me dore, duke përdorur letrën si material kryesor. Fëmijët duhet t’i nxisim në mënyrën e saktë dhe ata mund të prodhojnë gjëra shumë të bukura”, shprehet një studente vullnetare.

Pas kursit të anglishtes, një kurs shumë i preferuar është artizanati.

Top Channel: Çfarë lloj punimi është ky? Fëmijë: Është punim artizanal, një flutur, e punoj me gjilpërë kallçuku. Nëse do kem kohë do e përfundoj për dy ditë”

Sigurisht, punët me dorë kërkojnë edhe vullnetare më të specializuara. Gjyshe, që kujtojnë rininë e tyre dhe duan t’u përcjellin vajzave të vogla gjithçka dinë.

“Përvec se është kontribut për shkollën, kam dëshirë ti mësoj vajzat sic kemi mësuar ne në kohët e para”, shprehet një nga gratë e pranishme.

“Sic më ka mësuar mua nëna ime do ti mësoj edhe unë, jo vetëm punë dorë, me qëndisje, me grep. në kushtet ku jetojmë ne, për çfarë mund t’i duhet një vajze të punojë me shtiza? nuk i duhet shumë, por për qejf”, shprehet një tjetër.

Shkolla “Androkli Kostallari” në Shkozë është nga të paktat shkolla që i shërbejnë komunitetit pas mësimit. Këmbëngulja e Ministrisë së Arsimit për t’i kthyer shkollat në qendra komunitare nuk ka gjetur ende mbështetje të gjerë.

Top Channel