Kukësi-Partizani, sfida ku fitorja është detyrim

19/11/2017 18:06

Kukësi-Partizani është ndeshja e madhe e kësaj jave të 11 të Kategorisë Superiore. Këto skuadra që sezonin e kaluar duelonin për titullin kampion nuk janë në momentin e tyre më të mirë. Për trajnerin e kampionëve në fuqi, Mlladen Milinkovic skuadrën e pret një sfidë e vështirë, por ai beson te fitorja e saj.

“Është një ndeshje shumë e rëndësishme për ne, pasi vijmë pas 3 barazimeve radhazi. Na pret një përballje e vështirë të cilën duhet ta fitojmë jo vetëm për t’u kthyer te rezultatet pozitive, por edhe për të shkurtuar diferencën me Skënderbeun. Mesazhin e morëm që në ndeshjen me Kamzën dhe besojmë te fitorja. Të gjithë futbollistët i kam në dispozicion, por do të aktivizoj ata që janë në formën më të mirë”, tha Mlladen Milinkovic, trajneri i Kukësit.

Në krahun tjetër, edhe Partizani nuk ka opsion tjetër për këtë ndeshje, përveçse fitores. Kryeqytetasit, që pas humbjes me Laçin vendosën heshtjen për shtyp, kanë zhvilluar seancën e fundit stërvitore për këtë ndeshje ku ata do të kërkojnë të bëjnë edhe kthesën e madhe të këtij sezoni. Sulmi ka qenë problematik për Partizanin, por dilemat më të mëdha kanë qenë për gjendjen e Edgar Çanit, dilema që duket se janë shuar duke qenë se sulmuesi u stërvit së bashku me pjesën tjetër të skuadrës. Sfida mes Kukësit e Partizanit do të luhet orën 14:00 të së hënës në “Zeqir Ymeri”.

Top Channel