Duke reaguar ndaj aktivitetit Diplomacia Ekonomike të promovuar nga qeveria, kryetari i PD, Lulzim Basha ka deklaruar se është mision i pamundur që ambasadorët të sjellin investitorë të huaj në Shqipëri.

Sipas tij, kryeministri Rama e di shumë mirë këtë sepse është ai përgjegjësi për krijimin e një klime armiqësore për biznesin vendas dhe të huaj.

“Kryeministri i pashpresë dhe i korruptuar deri në rrënjë e di se në Shqipëri mund të investojnë apo marrin tendera vetëm ata që pranojnë të dorëzojnë kapar 30-50% të fitimit tek ai, përmes sejmenëve të tij të kapur në përgjime”, ka thënë Basha.

Basha ka theksuar se, kjo pamundësi e ambasadorëve vjen pasi në 4 vitet e fundit raportet ndërkombëtare flasin vetëm për përkeqësimin e klimës së biznesit në Shqipëri, për rritjen e taksave dhe për korrupsionin e përhapur në çdo nivel të qeverisjes.

“Sepse tenderat dhe koncesionet përfundojnë në xhepat e 10 klientëve të kryeministrit dhe investitorët e huaj gjymtohen nga kriminelët e lidhur me Ramën dhe Dakot e tij për t’u përzënë nga Shqipëria”, ka thënë Basha.

Ai ka vlerësuar se gjatë qeverisjes “tashmë të vdekur” të Ramës në Shqipëri nuk erdhi asnjë investim serioz i huaj dhe po të mos ishin dy projektet e mëdha energjetike, gazsjellësi TAP dhe Kaskada e Devollit, niveli i investimeve do të ishte në minimum historik, duke e kthyer vendin 15 vite prapa.

“Ambasadorët e Shqipërisë e kanë mision të pamundur sjelljen e investitorëve të huaj, sepse për shkak të keqqeverisjes së Ramës vendi është në depresion ekonomik dhe social. Rreth 300 mijë shqiptarë të larguar në 4 vjet nga Shqipëria janë prova ulëritëse e këtij realiteti dëshpërues”, ka thënë Basha.

Kreu i opozitës ka theksuar se, investitorët e huaj do të vijnë në Shqipëri vetëm atëherë kur vendi të ketë një qeveri që lufton krimin, hap vende pune dhe u jep mundësi të gjithëve.

“Por kjo nuk do të ndodhë përsa kohë vendin ta drejtojë kryeministri i kapur nga krimi dhe i zhytur në krim, që ktheu Shqipërinë në hambar droge dhe buxhetin e shqiptarëve në lavatriçe për Pastrimin e Parave të Pista”, ka shtuar Basha.

Top Channel