Kreu i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj tha se brenda dy viteve do të rehabilitohen edhe zonat periferike të Tiranës, të cilat janë kryesisht zona me ndërtime informale.

E fundit është ajo e banorëve të rrugës “Besnik Hidri” në Laprakë, kufi me Laknasin, ku ka nisur edhe rikonstruksioni i rrugës, duke zgjidhur problemin 25-vjeçar të banorëve mes baltës dhe pluhurit.

“Dua t’i falenderoj të gjithë banorët që e kanë ngritur këtë shqetësim, duke e përfshirë në buxhetin e vitit të kaluar. Nëse Tirana do të kishte një qytet të dytë, ky do të ishte Njësia 11. Njësia është shumë e madhe, por dhe problematika është shumë e madhe, e mbartur ndër vite. Gjithë zona e Institutit Bujqësor, zona e Bregut të Lumit, problemet që kanë pasur me rrjetin, mungojnë që nga viti ‘60-70. Çfarë nuk është bërë në 50-60 vite është shumë e vështirë të bëhet në 5-6 muaj, por duhet t’ia fillojmë”, tha Veliaj.

Krahas ndërtimit të rrjetit të kanalizimeve që do të përballojë shtimin e banorëve edhe për vitet e ardhshme, në të dy anët e Rr. “Besnik Hidri”, projekti parashikon zëvendësimin e mureve aktualë rrethues të banesave me mure dhe kangjella dekorativë, të cilat përmirësojnë anën estetike dhe rrisin vlerën e pronës. Kryebashkiaku Veliaj falenderoi banorët për bashkëpunimin e treguar për të tërhequr vullnetarisht muret rrethues të banesave, që i hap rrugë urbanizimit të gjithë zonës.

“Më vjen mirë që në këtë komunitet kemi pasur bashkëpunim, pra njerëzit janë gati ta largojnë një metër avllinë që të lirojnë një trotuar për fëmijët e tyre. Të parët që përfitojnë janë ata vetë, shtëpia u del në dritë, ka më shumë vlerë, fëmijët ecin të sigurt. Po të vazhdojmë me këtë mentalitet, me kulturë dhe infrastrukturë, do e kemi Tiranën që duam”, deklaroi ai.

Pas përfundimit të projekteve të mëdha infrastrukturore në qendër, vëmendja po përqendrohet edhe në periferi të qytetit, për të zbutur diferencat dhe për të garantuar shërbime e trajtim të barabartë. Veliaj theksoi se paralelisht me përmirësimin e infrastrukturës rrugore, do të punohet për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e institucioneve të reja arsimore.

“Lajmi i mirë është se pasi mbaruam dy vitet e para punët me qendrën, me sheshin “Skënderbej”, me Bulevardin, me Parkun Olimpik, me Pazarin e Ri, me stadiumin, tani mund të fokusohemi në periferi. Lajmi i mirë është që Bashkia në këto dy vitet e fundit do dalë në periferi shumicën e kohës. Jo vetëm për rrugë dhe infrastrukturë, por pothuajse të gjitha shkollat e reja do t’i kushtohen zonave periferike për t’u siguruar që një fëmijë, merr të njëjtin trajtim dhe të njëjtën cilësi mësimdhënie si në Bllok, ashtu edhe te Bregu i Lumit”, tha kreu i Bashkisë.

Duke u ndalur në diskutimet për projektbuxhetin e vitit të ardhshëm, Veliaj bëri të ditur se Njësia 11 do të jetë një nga përfitueset më të mëdha.

 

Top Channel