Kampioni i trefishtë i medaljeve të arta olimpike për Turqinë, Naim Suleymanoglu, i mbiquajtur edhe si “herkuli”, ka ndërruar jetë në moshën 50-vjeçare.

I lindur në Bullgari, Suleymanoglu ishte shtruar nga fundi i shtatorit nën kujdes intensiv, pas problemeve në mëlçi, u shua në një spital të Stambollit.

Suleymanoglu kishte arritur një rekord historik, tri herë rresht nga tri medalje të arta në Lojërat Olimpike, duke nisur nga Seuli në vitin 1988, për të pasuar me Barcelonën në vitin 1992 e për ta mbyllur me Atlantën në viti 1996.

Shpërthimi i tij në sportin e peshëngritjes e ktheu atë në hero kombëtar në Turqi, ku konsiderohet një nga personalitetet më të mëdha sportive në historinë e vendit europiano-aziatik.

Por rruga drejt shkëlqimit për Suleymanoglu, i cili është lindur me emrin Naim Suleimanov si pjesëtar i minoritetit turk në Bullgari, nuk ishte edhe aq e lehtë.

Ai garoi fillimisht për Bullgarinë, por dezertoi nga ish-shteti i bllokut komunist të Europës Lindore në dhjetor të vitit 1986, gjatë Botërorit të Peshëngritjes që zhvillohej në Melbourne.

Në atë episod që shkaktoi një “dramë” asokohe, Suleymanoglu devijoi udhëtimin drejt Londrës, e më pas së bashku me kryeministrin turk iu drejtua Turqisë me të njëjtin avion, ku edhe u prit si një hero kombëtar.

Bullgaria u xhindos nga dezertimi i tij, e fillimisht Suleymanoglu u pezullua për një vit, por me t’u rikthyer nisi edhe “furia” e medaljeve të tij, nga Lojërat e 1988-s. Ai krijoi edhe të ashtuquajturin rivaliteti më i egër sportiv me Valerios Leonidis nga Greqia, që u ndoq me kërshëri nga komunitetet turke e greke anembanë botës.

Edhe pse tentoi të rikthehej në Lojdërat Olimpike të Sidnejit në vitin 2000, ai u largua si rrallëherë pa sukses, e prej atëherë u përfshi në politikë.

FOTO GALERI
1/4

Top Channel