Rikthehet “Ibracadabra”, Mourinho e grumbullon pas 7 muajsh

17/11/2017 17:55

Plot 7 muaj pas dëmtimit të ligamentit të gjurit të djathtë, Zlatan Ibrahimoviç është rikthyer mes listës së të grumbulluarve të Manchester United.

Lajmin e njoftoi sot përgjatë konferencës për shtyp, në vigjilje të takimit të radhës në Premier League kundër Newcastle, vet trajneri portugez Mourinho.

“Ibra i ka tejkaluar afatet e rikuperimit. Sigurisht që nuk mund të presim të jetë i gatshëm të luajë për 90 minuta, apo për të zhvilluar disa ndeshje radhazi. Ai ka ende kohë për t’u rikthyer në nivelin maksimal të tij, për të rigjetur formën e mirë fizike dhe sigurinë te vetvetja, por në aspektin shëndetësor ai është i gatshëm të luajë”, tha “Special One”.

Një rikthim i përshpejtuar në kohë krahasuar me parashikimet e dhëna ditën pas operacionit të kryer më 2 maj për atë dëmtim të pësuar gjatë sfidës së Europa League të Manchester United ndaj Anderlechtit.

Mourinho e kishte thënë disa herë se ishte i bindur që suedezi do të rikthehej përpara fundit të vitit 2017, ndërsa sot njoftoi se ai do të jetë duke nisur nga nesër në pankinën e “djajve të kuq”. Por duket se nesër në pankinë, suedezit do t’i bëjë shoqëri edhe Pogba, një tjetër i dëmtuar prej një kohe të gjatë.

Top Channel