PD, Boçi: Qeveria nuk paguan mësuesit. Kontrata milionere me klientët

17/11/2017 14:22

Deputeti i PD, Luçiano Boçi në një deklaratë për mediat ka akuzuar qeverinë dhe në veçanti Ministrinë e Arsimit se prej 6 muajsh nuk ka nënshkruar kontratat me mësuesit.

“Të gjithë mësuesit e Shqipërisë, 36 mijë mësues të arsimit parauniveristar, janë prej 6 muajsh pa kontratë pune. Ministrja e Arsimit refuzon të nënshkruajë kontratën kolektive me sindikatat duke shkelur ligjin. Mungesa e kontratës së punës që prej 31 majit i mban mësuesit të pasigurtë në vendet e punës”, ka deklaruar Boçi.

Ai ka theksuar se teksa mësuesit janë të pambrojtur, Ministria e Arsimit mund të marrë në çdo kohë vendime arbitrare për largimin e tyre, “siç edhe ka ndodhur”.

“Ka edhe dy arsye të tjera përse ministrja nuk firmos kontratën kolektive për 36 mijë mësuesit e Shqipërisë. Sepse qeveria refuzon t’u paguajë mësuesve pagën e 13-të dhe sepse refuzon t’u japë shpërblimin e fundvitit”, ka thënë Boçi.

Sipas tij, refuzimi për të lidhur kontrata me mësuesit e sistemit parauniversitar është në kontrast me vendimin e qeverisë, e cila ndërkohë paguan për një incinerator ende pa u ndërtuar dhe për check up-in pa u bërë fare analizat.

“Veprimi me dy standarde i qeverisë është i qartë: klientëve më të cilët ndajnë miliona euro u jepet siguri me kontrata dhjetëvjeçare, ndërsa arsimtarët lihen të pasigurtë dhe të papaguar”, ka shtuar Boçi.

Top Channel