E shkatërruar nga tragjedia ajrore, Chapecoense siguron mbijetesën

17/11/2017 19:11

Chapecoense ia doli mbanë të sigurojë mbijetesën në kampionatin brazilian të futbollit, “Brasilerao”.

Klubi, i cili thuajse u shua nga tragjedia ajrore e 28 nëntorit të një viti më parë, gjatë të cilit humbën jetën 19 futbollistë, mposhti 2-1 Vitorian një natë më parë, duke siguruar matematikisht mbijetesën kur kanë mbetur edhe 3 javë për t’u luajtur.

Skuadra bardhjeshile, me një ekip të rindërtuar tërësisht, ngjitet aktualisht në kuotën e 47 pikëve dhe mban vendin e 10 në klasifikim.

Mbijetesën, Chapecoense arriti ta siguronte në fushën e lojës, edhe pse Federata braziliane kishte arritur një akord me skuadrat e tjera për t’i garantuar mbijetesën në kampionatin elitar për të paktën 3 vite pas tragjedisë, në mënyrë që t’i lejonin asaj rindërtimin e grupit.

Por Chapecoense duket se ka refuzuar këtë “privilegj” dhe arriti të merrte 3 pikët e radhës pas një 90-minutëshi të vuajtur që pa të përmbyste avantazhin e Vitorias.

Në dhomat e zhveshjes nisi menjëherë festa, që ishte edhe më e madhe nga sa pritej për shkak të lajmit se portieri i mbijetuar nga tragjedia ajrore, Jackson Follmann, i është rikthyer fushave të blerta, duke u stërvitur pavarësisht një këmbe të prerë.

Top Channel