Skriniar qetëson tifozët: Real apo Barça? Qëndroj tek Interi

16/11/2017 21:30

Milan Skriniar zbarkoi në Milano, për t’iu bashkuar zikaltërve të Interit, me disa doza skepticizmi edhe për shkak të kostos së kartonit që iu pagua Sampdorias. Megjithatë, pak muaj më vonë, ai rezultoi një investim që ia vlente të kryhej.

Kjo falë paraqitjeve të bëra prej tij në fushat e blerta, gjë që e vuri shumë shpejt edhe nën radarët e ekipeve të më fuqishme të Europës, si Reali i Madridit apo Barcelona.

“Rrini të qetë, sepse nuk largohem vitin e ardhshëm”, konfirmoi mbrojtësi i Interit në një deklaratë për “Sky Sport”. “Do të qëndroj këtu, në Milano”.

Sa i përket objektivave të zikaltërve, Skriniar duket i pavendosur. “Nëse jemi të aftë të duelojmë për titullin, apo të mjaftohemi me një vend në Champions? Është ende herët. Duhet të mendojmë fillimisht ndeshje pas ndeshjeje, edhe pse dëshira jonë është që të jemi sa më lart në klasifikim”, shprehet Skriniar.

Në fundjavë, në “San Siro” vjen Atalanta e Etrit Berishës për t’u përballur me Icardi & Co.

“Impenjimet tona me kombëtaret kanë përfunduar dhe ne jemi të gjithë këtu. Duhet të përgatitemi sa më mirë, sepse duhet të rikthehemi te fitorja, që na mungoi në takimin e fundit në shtëpi ku barazuam. Duhet të fitojmë edhe për tifozët tanë. Kemi një sulm shumë të fortë, por pas ndeshjes me Beneventon kemi pësuar gjithnjë gol. Ndoshta duhet të jemi më të kujdesshëm në prapavijë”, shprehet blerja më e suksesshme ndoshta e verës për Interin.

Top Channel