Mësim në oborr. Shkolla artistike në Gjirokastër nuk ka klasa

16/11/2017 15:05

Në shkollën e mesme artistike në Gjirokastër mësimi zhvillohet në korridore, në sallën e mësuesve, në drejtori, në magazinë dhe deri në oborr.

Shkolla nuk ka mjedise të mirëfillta mësimore. Nxënësit e veglave muzikore ushtrohen ku të munden. Ata të Artit Figurativ në ish magazinën e shkollës në katin përdhes. Ora e pianos dhe kantos zhvillohen në sallën e Informatikës. Ata me klarinetë përfundojnë në korridor.
“Në një klasë nuk mund të punojmë me shumë instrumenta se nuk merren vesh”, thotë Anxhelo Mema.

“Bëjmë mësim tre klasa të pikturës në një klasë. Secili mësues ka metodën e vetë të punuarit. Na shqetëson pak zhurma, sepse piktura do qetësi”, tha Kamela Baka.

Drejtori i shkollës Bujar Dudumi tha se situata është e padenjë për të përgatitur artistë dhe e tillë është që prej viti 2006 kohë kur liceu i rihap.

“Kjo është një shkollë e mesme artistike dhe ka nevojë për atelie. Shumica e lëndëve mësimore zhvillohet në grupe ose individë të specialiteteve të ndryshme të degës së muzikës”, tha drejtori Bujar Dudumi.

Shkolla artistike “Fehim Ibrahimi” në Gjirokastër e vendosur në një godinë të vjetër më shumë se 100-vjeçare në lagjen Varosh është një ndër 9 licetë artistikë në vend dhe e vetmja në jug të vendit. Shkolla ku japin mësim 22 profesionistë po përgatit rreth 50 nxënës në drejtimet pikturë, skulpturë, skulpturë në gur, tekstil, skenografi, grafikë, kanto dhe instrumenta si piano, flaut, violinë, fizarmonikë, klarinetë etj

 

Top Channel