Peruja është skuadra që plotëson kuadrin e 32 skuadrave pjesëmarrëse të Botërorit 2018 që do të zhvillohet në Rusi në periudhën qershor-Korrik. Skuadra amerikano jugore fitoi ndeshjen e dytë të “playoff”-it ndaj Zelandës së Re me rezultatin 2-0 dhe kthehet në fazën finale të një botërori pas 35 vitesh.

Fillimi i ndeshjes ishte perfekt për skuadrën peruane që iu afruan golit të avantazhit që në minutën e 3 me Advincula gjuajtja e të cilit u ndal nga traversa. Duhej të vinte minuta e 27 që Peruja të gjente golin e avantazhit me Farfan, ndërkohë që në të 65 Ramos shënoi edhe golin e dytë duke shuar përfundimisht ëndrrën e neozelandezëve.

Me kualifikimin e Perusë, mësohet edhe ndarja e skuadrave pjesëmarrëse në vazo për shortin e Kupës së Botës që do të hidhet në 1 dhjetor. Peruja e kualifikuar do të njetë në vazon e dytë pasi është e 10 në klasifikimin e FIFA dhe bashkë me të do të jenë Spanja, Zvicra, Anglia, Kolumbia, Meksika, Uruguaji dhe Kroacia, ndërkohë që në vazon e parë janë Rusia, Gjermania, Portugalia, Brazili, Argjentina, Belgjika, Polonia e Franca.

Në shortin e 1 dhjetorit nuk do të jenë në të njëjtin grup skuadrat që janë pjesë e të njëjtës konfederatë. përjashtim bën vetëm UEFA që ka më shumë përfaqësuese në këtë botëror. Kjo dio të thotë se nuk përjashtohet mundësia që në të njëjtin grup të shohim Gjermaninë me Spanjën apo Francën me Spanjën.

Top Channel