Parandalimi i aksidenteve, policia: Kontroll kamionëve

16/11/2017 20:30

Më 11 nëntor, një kamion i nisur nga Mali i Tomorrit, pasi kishte përshkuar Beratin dhe pa mbërritur në Lushnjë, në Kashtë të Bardhë, shkaktoi këtë aksident me pasoja fatale për gazetaren Erinalda Isufaj dhe familjen e saj.

Pas këtij aksidenti, Drejtori i Policisë Rrugore në Policinë e Shtetit, Mitat Tola thotë se do të forcohen kontrollet ndaj mjeteve të tonazhit të rëndë mbi 3.5 tonë.

“Normalisht policia rrugore reagon. Do të shtohen kontrollet për këto mjete sapo dalin nga kantieret në akset kryesore rrugore. Do të kontrollohen faturat, pesha e mallit në raport me lejen e qarkullimit, si dhe sistemimi i ngarkesave. Ka vend për përmirësime”, thotë Tola.

Eksperti autoteknik Artur Sulçe, i pyetur të mërkurën nga Top Channel, shpjegoi se sa e rëndësishme është pikërisht respektimi i peshës dhe i sigurimit te ngarkeses.

Deri në fund të gushtit këto kritere duhet të kontrolloheshin edhe nga e ashtuquajtura polici gri, pra kontrolli i shfrytëzimit të mjeteve, që nuk parashikohej në kodin rrugor, por funksiononte me një urdhër të ministrit të transporteve.

Por drejtori Tola thotë se shkrirja e policisë gri nuk ndryshon gjë për policinë rrugore, sepse edhe më parë janë ekzekutuar mijëra gjoba.

“Kjo kategori mjetesh ka qenë në fokusin e policisë rrugore. Vetëm gjatë 10 mujorit janë 4500-4600 masa administrative për mos sistemim ngarkese”, deklaronte ai.

Megjithatë kreu i policisë rrugore thotë se përfshirja e mjeteve të tonazhit të rëndë në numrin e përgjithshëm të aksidenteve zë një përqinjde të vogel: gjithsej 40 aksidente në 1600 të regjistruara këtë vit.

Top Channel