Milan, Fassone: Besojmë te Montella, duam Europa Leaguen

16/11/2017 18:51

Tifozët e Milanit kanë pasur mundësinë këtë të enjte të pyesin drejtpërdrejt administratorin e deleguar të kuqezinjve, Marco Fassone, i cili ka gjetur kohë t’u përgjigjet të gjitha pyetjeve të tyre nga Milanello.

Sa i përket marrëveshjes vullnetare me UEFA-n, Fassone deklaron se ka dalë optimist nga takimi i fundit.

“Kemi bërë një punë të konsiderueshme, me një dosje të tejmbushur me detaje dhe absolutisht transparente. Shpresoj që të vlerësohet në mënyrë të detajuar, e të mos ndalen vetëm në faktin që jemi Milani, një ekip i madh. Skenari më i keq do të ishte që UEFA të mos bindet për planin tonë dhe pronarët tanë. Kjo do të na detyronte që në pranverë të diskutonim një akord normal”, është shprehur administratori i deleguar i Milanit.

Objektivi Champions, ndërkohë, pavarësisht optimizmit të pandryshuar, si objektiv sportiv duket se është “ngrirë” për motive ekonomike.

“Nëse nuk do të arrinim një nga 4 vendet e para që të çojnë në Champions nuk do të ndodhë asgjë. Llogaritë janë aty dhe Milani do të qëndronte sërish në këmbë e nuk do të binte në humnerë. Shpresoj që ta shmangim këtë skenar, por edhe nëse do të gjendeshim përballë tij nuk do të përbënte problem”.

Në lidhje me të ardhmen e klubit, për Fassonen është e pamundur që të mos ketë optimizëm. “Nëse do të hedhim sytë nga Europa, duke u krahasuar me ekipet e tjera të mëdha, Milani duhet thënë se ka një potencial të jashtëzakonshëm. Tani për tani nuk e di nëse do të arrijmë maksimumin e këtij potenciali, por në vitet e ardhshme sigurisht që po”.

Por diferenca me ekipet e tjera që gjenden mbi Milanin sa vjen e thellohet…

“Duket që na mungon diçka, por ajo që do të thoja është se skuadrat para nesh kanë ecur me një shpejtësi më të madhe nga sa parashikohej, ndërsa ne jemi treguar më të ngadalshëm se ç’duhej. Shpresojmë që ne të përshpejtojmë diçka, ndërsa ata përpara nesh të lënë disa pikë, në mënyrë që diferencat të shkurtohen. Megjithatë, llogaritë do t’i bëjmë vetëm në maj”, thotë Fassone.

Besimi ndaj Montellës vijon të jetë i palëkundur.

“Po, Vincenzon e kemi ndjekur edhe nga jashtë klubit, e kur morëm drejtimin zgjodhëm ta konfirmonim atë. Ai është trajneri ynë dhe ka besimin tonë të plotë. Mirabelli, ndërkohë, po e ndjek çdo ditë dhe e ka parë shumë mirë raportin e tij me lojtarët. Rezultatet gjithsesi nuk vijnë vetëm duke kryqëzuar gishtat, por jam i sigurtë që do të vijnë”.

Te Milani është prezantuar së fundi përgatitësi i ri atletik.

“Ai është një person shumë i përgatitur dhe kompetent në fushën e tij, përveçse ka një CV shumë të pasur. Mua ma kanë sugjeruar, ndërkohë që nga Biglia dhe Kessie kemi marrë reagime pozitive për të”.

Nuk kishte si të mungonin edhe pyetjet mbi Donnarummën, portierin për të cilin u bë një sakrificë e jashtëzakonshme gjatë verës.

“Operacioni për rinovimin e tij ishte më i vështiri nga të gjithë, sepse dialogu me agjentin e tij ishte i komplikuar. Ajo që mbizotëron te milanistët është se Gigio duhet dhe do të jetë ‘i përzgjedhuri’, falë një talenti të jashtëzakonshëm që gëzon. Mendoja se do të bëhej titullar tek Italia pas Botërorit e jo tani, por jam i lumtur që Milani ka mundësinë ta përkëdhelë këtë ‘xhevahir’ me një të ardhme të shndritshme”, shprehet Fassone.

Për Italinë ka vetëm një trishtim dhe dhimbje të papërshkrueshme, sepse ai vet nuk e kishte parë kurrë mungesën e “axurrëve” në një Botëror. Por kjo mund të shërbejë, sipas tij, për reflektim dhe rinisje nga zeroja, gjithnjë duke mbajtur parasysh gjërat që janë bërë mirë.

Stadiumi mbetet një çështje jetike, apo “thembra e Akilit”.

“Mendojmë se në një periudhë afatmesme, San Siro nuk na lejon të arrijmë objektivat tonë ekonomikë. Distanca me ekipet e tjera të mëdha është e madhe, pjesërisht prej stadiumeve. Duhet të kemi vetëm një stadium për Milanin, por a do të jetë San Siro, apo do të luajmë tjetërkund, për këtë do të ulemi të debatojmë. Do të zgjedhim gjënë e duhur për Milanin, sepse na duhet një stadium vetëm i yni”, thotë Fassone.

Sa i përket Europa League, administratori i deleguar kuqezi thotë se nuk do të anashkalohet nga Milani. “Na intereson sepse ka një finale ‘të artë’ që të siguron biletën për në Champions League. Por veç të tjerash nuk e kemi fituar asnjëherë. Për të mos thënë se Milani në Europë ndihet si në shtëpinë e tij”.

Top Channel