Ballkani Perëndimor duhet të shfrytëzojë “momentumin e ri” për integrimin në BE. Këtë e tha Komisioneri për Zgjerimin, Johannes Hahn, gjatë një konference të përbashkët për shtyp me kryeministren serbe, Ana Brnabiç, dhe shefen e Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini.

“Ballkani duhet ta shfrytëzojë këtë ‘momentum të ri’. Mbi bazën e fjalimit të presidentit të Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, në shtator, ne do të prezantojmë një strategji për Ballkanin në muajin shkurt, lidhur me perspektivën e të gjitha vendeve të rajonit”, tha Johannes Hahn.

Mogherini tha se dyert e BE-së janë të hapura për të gjithë Ballkanin Perëndimor, kur secili nga partnerët në rajon të plotësojë kushtet dhe reformat e caktuara.

“Mesazhi i Juncker gjatë fjalimit mbi gjendjen e unionit ishte i qartë. Dera e BE-së për Ballkanin mbetet e hapur për anëtarësime të reja, pasi vendet kandidate të kenë përmbushur kriteret, dhe ne po punojmë që kjo të ndodhë. Gjithmonë kam besuar se e ardhmja e BE-së do të jetë me më shumë se 27 vende”, tha Federica Mogherini.

Dy zyrtarët e lartë të Bashkimit Europian theksuan sukseset e qeverisë serbe në konsolidimin e buxhetit dhe kushteve makroekonomike të biznesit, e gjithashtu përkushtimin e vendit për përmirësimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Top Channel