Opozita po akuzon qeverinë se pikërisht nga projekti “1 miliard dollar” për ndërtime publike sipas skemës të partneritetit publik-privat, do të përfitojnë një grusht njerëz pranë saj.

Termi që përdoret rëndom është oligarki. Por a ka vërtet oligarkë Shqipëria? Nëse po, kush janë ata dhe pse quhen të tillë?

Kush janë përfituesit e paktë të tenderave publikë dhe sa janë paratë që janë dhënë? Cilat janë koncesionet, faljet e borxheve e të tjera?

Për të gjitha këto në Top Story-n me Sokol Ballën diskutuan gazetarët Klodian Tomorri, Gjergj Erebara, analisti Eduard Zaloshnja dhe Dorian Teliti, këshilltar ekonomik i grupit parlamentar të Partisë Demokratike.

Gjergj Erebara e krahasoi situatën në Shqipëri me atë në Rusi.

“Jemi në sundimin e Putinit këtu, nuk ka asnjë biznesmen këtu që të përballet me një Kryeministër dhe të gjithë ata që fitojnë tendera dhe koncesione nuk janë oligarkë, por më shumë janë shërbëtorë të kryeministrit të radhës”, deklaroi ai.

Eduard Zaloshnja thotë se historia e koncesioneve të dyshimta nisi që në kohën e Berishës dhe vazhdoi me Ramën.

“Kishte koncesione në kohën e Berishës që fitoheshin nga kompani fantazmë. Ne nuk e dimë se cilët persona fizikë përfitojnë nga ato koncesione, që nga ngjyrimi i naftës dhe me radhë. Kjo vazhdon edhe në kohën e Ramës. Janë dhënë sërish koncesione, sërish kemi kompani që nuk e dimë nga vijnë, kemi edhe një bankë të krijuar nga një fond fantazmë”, u shpreh ai.

Këshilltari i PD-së, Dorian Teliti thotë se qeveria nuk ka bërë publike ende një listë të aksionerëve dhe investitorëve që investojnë në Shqipëri.

“Akoma nuk kemi një listë të aksionerëve dhe personave që investojnë në Shqipëri. E pyetëm Ministrin e Financave dhe ai nuk ishte në gjendje që të kthente përgjigje. Presim që të na japë një listë, por këtu kemi ndërveprim mes oligarkëve dhe qeverisë”, thotë ai.

Klodian Tomorri u ndal tek koncesioni i skanimit në dogana.

“Kontrata e skanimit u rishikua me rrotacionin e pushtetit, sepse ishte parashikuar që kostoja të transmetohej e gjitha tek biznesi. Qeveria e re, mori përsipër në buxhet një pjesë të faturës. Është një koncesion që përfshin të dyja qeveritë. Për këtë koncesion PS erdhi me zotimin se do ta anulonte dhe ajo që ndodhi ishte rishikimi i kontratës. 49 për qind e aksioneve të tij, është shitur vetëm për 4 mijë lekë të vjetra dhe ky mbetet një nga misteret më të mëdha. Ky është një nga rastet më të çuditshme sesi një kontratë që ka 260 mln euro të garantuara shitet për 4 mijë lekë të vjetra”, tha ai.

Top Channel