Skllevërit modernë, rreth 40 mln u shfrytëzuan vjet në botë

15/11/2017 22:31

Nga Britania dhe SHBA, e deri në Indi, njerëzit janë të mbërthyer në skllavëri në çdo vend dhe nevojiten përpjekje të mëdha për t’i çliruar ata dhe për të rindërtuar jetët e tyre.

Kështu thanë aktivistët kundër skllavërisë në një konferencë në Londër. Sipas përllogaritjeve, 40 milionë njerëz janë skllavëruar në glob vitin e shkuar, si në vendet e pasura, ashtu edhe në ato të varfëra, me skllavërinë moderne që me terma të tjera është trafikimi, puna e detyruar, trafiku seksual apo martesat e detyruara.

Qeveria britanike përllogarit se ka 13 mijë viktima të skllavërisë në vend, por Komisioneri antiskllavëri në vend, Kevin Hyland thotë se druan se numri është më i lartë.

“Unë mund të përmend raste të panumërta të viktimave në Britani dhe vende të tjera. Këto viktima të skllavërisë moderne nuk mbajnë zinxhirë, por kjo nuk do të thotë se nuk janë të bllokuar dhe se nuk u mohohet liria”, tha Kevin Hyland, komisioner antiskllavëri.

Aktivistët kërkuan veprim urgjent për të ndaluar punën e detyruar, veçanërisht në burgjet kineze, dhe i kërkuan presidentit amerikan Donald Trump të denoncojë këtë çështje. Rreth 3.4 milionë njerëz jetojnë si skllevër në Kinë, sipas Indeksit global të Skllavërisë për vitin 2016. Ndërkohë, Kombet e Bashkuara kanë përcaktuar si objektiv dhënien fund të punës së detyruar, skllavërisë dhe trafikut njerëzor deri në vitin 2030.

Top Channel