Koreja e Veriut: Trump meriton vdekjen, ofendoi Kim Jong-un

15/11/2017 17:54

Dënim me vdekje për Donald Trump. Kjo është masa e kërkuar në editorialin e të përditshmes së regjimit koreano-verior, Rodong Sinmun, pas fjalimit që presidenti amerikan mbajti në Seul dhe postimit të fundit në “Twitter” kundër diktatorit Kim Jong-un.

Krimi i kryer nga numri një i Shtëpisë së Bardhë, sipas medias së shtetit komunist, është se ka guxuar të fyejë udhëheqësin e Penianit.

“Krimi më i rëndë për të cilin Trumpi nuk do të mund të falet kurrë është se guxoi të dëmtonte në mënyrë dashakeqe dinjitetin e udhëheqësit tonë. Ai duhet ta dijë se është vetëm një kriminel i dënuar me vdekje nga populli korean”, thuhet në editorial.

Gjatë fjalimit të mbajtur në Parlamentin e Seulit, javën e kaluar, i pari i Uashingtonit e akuzoi Kim Jong-unin për një diktaturë mizore në dëm të popullit të vet, e më pas në një postim në “Twitter”, ai çoi në një nivel të ri përballjen verbale, duke e tallur udhëheqësin koreano-verior për gjatësinë dhe peshën e tij.

“Pse duhet të më fyeje duke më quajtur plak, kur unë nuk do t’i thosha kurrë ‘shkurtabiq’ dhe ‘i shëndoshë’?”, ishin fjalët e tij.

Gazeta e quan Trumpin një frikacak për anulimin e vizitës në kufi me Korenë e Veriut gjatë ndalesës në Seul. Tensionet mes Koresë së Veriut dhe Shteteve të Bashkuara janë kthyer edhe në një konflikt personal mes Kim Jong-un dhe Donald Trump, që po këmbejnë akuza e fyerje mes tyre, të padëgjuara më parë në historinë e diplomacisë ndërkombëtare.

Top Channel