Në kuadër të operacionit të koduar “Forca e Ligjit”, uniformat blu kanë goditur një grup kriminal aktiv në trafikun e narkotikëve, që vepronte në zonën e Fierit.

Përmes një njoftimi zyrtar, Policia e Shtetit bën të ditur se, në pranga kanë përfunduar 3 persona, anëtarë të këtij grupi që kishte tendenca kriminale të theksuara.

Ata janë identifikuar si shtetasit: Kujtim Kuçi, 45 vjeç, banues në fshatin Sulaj, Fier; Bashkim Ahmeti (Kuçi), 43 vjeç, banues në fshatin Sulaj, Fier; dhe Dritan Tusha, 47 vjeç, lindur dhe banues në Shijak.

Këta persona, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kishin ngritur një grup të strukturuar kriminal, që trafikonte drogëra të llojeve të ndryshime si kanabis, heroinë dhe kokainë, brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Gjithashtu dyshohet se ky grup kriminal ka qënë i përfshirë në disa ngjarje të rënda si vrasje dhe rrëmbim personi, për të cilat po vijojnë hetimet.

Aksioni blic i uniformave blu është ekzekutuar pas informacioneve të siguruara në rrugë operative, mbi bazën e të cilave është ushtruar një kontroll në një lokali në pronësi të shtetasit Kujtim Kuçi, ku është gjetur një pistoletë tip “Glock” dhe dy krehëra me fishekë.

Ndërsa shtetasit Bashkim Ahmeti, përveç se një arme të së njëjtës markë i është gjetur edhe një pako lëndë narkotike e llojit kanabis sativa, ndërkohë që një sasi e ngjashme i është sekuestruar edhe Dritan Tushës.

Konkretisht, në përfundim të veprimeve të para hetimore janë sekuestruar: 4 automjete, njëra prej të cilave e blinduar; 2 armë gjahu; 1 detektor valësh; 1 shkop gome; 2 thika; 8 telefonë celularë; dhe 900 euro.

Ndërkohë, hetuesit po kalojnë “në sitë” edhe asetet që zotërojnë këta shtetas, që dyshohet se janë ngritur me para të siguruara nga aktivitetet ilegale.

Sipas hetuesve, bëhet fjalë për: 1 kompleks shërbimesh në fshatin Fermë Çlirim, ku përfshihen hoteleri, restorant, pikë karburanti; 2 automjete; 2 banesa në Tiranë dhe 1 në Golem.

Materialet hetimore i kanë kaluar tashmë për hetime të mëtejshme Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Fierit.

Top Channel