Ekspeditë në Polin e Jugut, vetëm me energji të rinovueshme

15/11/2017 17:54

Dihet që lidhja at e bir është e pathyeshme, ndaj dhe eksploruesi veteran polar Robert Swan dhe djali i tij 23-vjeçar Barney do të përpiqen të ofrojnë provën e fundit për këtë.

Ata shpresojnë të bëhen ekipi i parë që do të përshkojnë polin e jugut, duke u mbështetur vetëm tek energjia e rinovueshme.

Sipas tyre, nëse energjia e gjelbër mund të ketë sukses edhe në kushtet më ekstreme, atëherë kjo do të frymëzojë njerëzit dhe qeveritë ta shohin si një alternativë të zbatueshme ndaj karburanteve fosile.

Duke folur për “Reuters” në prag të ekspeditës së tyre 8-javore, që pritet të nisë më 15 nëntor, ata thanë se bëhet fjalë për një nismë të paprecedentë.

“Barney dhe unë do të përshkojmë 965 km në polin e jugut, por për herë të parë në histori, at e bir do të mbijetojnë vetëm përmes energjisë së rinovueshme. Kjo nuk është bërë kurrë më parë”, tha Robert Swan, eksplorues.

Përballë rrezikut të morthit, përzierjeve nga lartësia dhe verbimit nga bora, 61-vjeçari dhe djali i tij do të mund të mbështeten vetëm te teknologji të pastra. Panelet diellore do të furnizojnë me energji një shkrirës akulli të ideuar nga NASA, për t’u siguruar atyre ujë të mjaftueshëm për të pirë dhe gatuar.

“Uji është ar në Antarktidë e pa të vdes shumë shpejt. Kjo është diçka që im atë ma kujton shpesh”, tha Barney Swan.

At e bir do të konsumojnë rreth 5.000 kalori në ditë me ushqime, që gjithashtu vijnë nga burime të qëndrueshme. Me qëllimin për të kompletuar udhëtimin me vetëm energji diellore, nën kushte ekstreme, ata do t’i drejtohen një biokarburanti të avancuar i nxjerrë nga ashklat e drurit.

Top Channel