“Diamanti i paqes” ekspozohet në Belgjikë, para ankandit

15/11/2017 22:37

Një ndër diamantët më të mëdhenj në botë është ekspozuar në Antwerp dhe do të dalë në ankand në Nju Jork më 4 dhjetor.

Diamanti, i njohur si “diamanti i paqes”, është gjetur në Sierra Leone dhe është 709 karatë në formë të paprerë. Ai i është treguar ekspertëve dhe gazetarëve në Antwerp, qytetin që ka qenë një qendër kryesore diamantesh prej shekujsh, me 8 në çdo diamantë të paprerë dhe 5 në çdo 10 diamantë të përpunuar që kalojnë përmes tij.

Qeveria e Sierra Leones është përpjekur ta nxjerrë në shitje diamantin në kryeqytetin Freetown, por refuzoi ofertën më të lartë që mori prej 7.8 milionë dollarësh. Ankandi tani po menaxhohet nga një shoqëri ndërkombëtare, që thotë se fitimet do t’i shkojnë Sierra Leones, me një pjesë që shkon për sigurimin e ujit të pijshëm, energjisë elektrike, projekteve të shëndetësisë dhe edukimit, në fshatin ku ai u zbulua.

“Më parë, Sierra Leone njihej si vendi që prodhonte diamantet e gjakut. Tani, ne jemi këtu që të rifitojmë lavdinë, integritetin dhe emrin tonë. Ndaj e kemi quajtur këtë gur ‘diamanti i paqes’. Ai përfaqëson paqen dhe do të ndihmojë në zhvillimin e vendit tonë”, tha Alhaji Minkailu Mansaray, ministër i Minierave në Sierra Leone.

Diamantet kanë ndezur një luftë civile prej dekadash në Sierra Leone, luftë kjo që përfundoi në vitin 2002 dhe i mori jetën 50 mijë njerëzve. Rebelët detyronin civilët në lindje të vendit të gërmonin në kërkim të diamantëve dhe blinin armë me paratë e fituara, gjë që bëri që gurët e çmuar të quheshin diamantet e gjakut.

Top Channel