Antibiotikët kërcënojnë ekonominë, Mjekët: Ulin me 3 % GDP

15/11/2017 20:16

Shqipëria është ndër vendet e paralajmëruara nga Kombet e Bashkuara për përdorimin e lartë të antibiotikëve dhe rreziku që kanos të gjithë botën nga rezistenca mikrobiale.

Por përveç përshkrimit pa kriter të antibiotikeve në receta, mjekët thonë se përdoret masivisht në fermat blegtorale. “Ne antibiotikun e marrim edhe nga ushqimet. Nga depistimet që kemi bërë në pacientë që nuk kanë përdorur antibiotikë kanë rezultuar me rezistencë”, shprehet Prof. Dr. Perlat Kapisyzi.

Mjekët tanë shpesh nuk janë të sigurt dhe përshkruajnë në recetë antibiotikun më të fortë dhe më afatgjatë. “Shpesh japin antibiotikun e gjeneratës së fundit edhe kur nuk është nevoja . Dhe nuk është vetëm çështja e rezistencës, por dëmtojnë dhe imunitetin ne organizëm”, shprehet Prof. Dr. Perlat Kapisyzi.

Antibiotiket e përdorur pa kriter rrezikojnë edhe ekonominë dhe rrisin edhe varfërinë. Për vendet si Shqipëria kostot janë bërë të larta.
“Rezistenca mikrobiale ul GDP-në në 1% në vendet e zhvilluara dhe në 3% në vende si Shqipëria. Rrit shpenzimet nga 300 bilionë deri në 1 trilion në 2050 , rrit varfërinë me 28 milionë njerëz”, shton Kapisyzi.

Është ngritur tanimë Komiteti Ndërteknik me përfshirjen e Ministrisë se Shëndetësisë, Bujqësisë, Arsimit dhe Financave për planin e veprimit që do të zhvillohet ndaj rezistencës mikrobiale duke nisur nga viti 2018.

Top Channel