Zjarri në ambasadën e SHBA, dënohen pas 9 vitesh 4 serbët

14/11/2017 14:48

Një gjykatë në Serbi dënoi me kusht katër persona e la të lirë tre individë të tjerë të akuzuar se i patën vënë zjarrin ambasadës amerikane në Beograd pak ditë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Dejan Vuçkoviç, Dragan Marinkov dhe Marko Novitoviç, u dënuan me nga gjashtë muaj heqje lirie me kusht, ndërsa Milan Tomash, u dënua me pesë muaj heqje lirie. Vendimi pasoi rikthimin e çështjes në rigjykim pasi që në shtator të vitit 2015, të shtatë ata ishin me nga 5 deri në dhjetë muaj heqje lirie.

Në nëntor të vitit 2016, gjykata e Apelit në Beograd vendosi rigjykimin. Një person humbi jetën kur ambasada amerikane dhe disa shërbime të tjera diplomatike perëndimore u sulmuan nga grupe protestuesish që hodhën gurë e mjete të forta dhe i vunë zjarrin në shenjë kundërshtimi ndaj mbështetjes perëndimore ndaj pavarësisë së Kosovës, të shpallur më 17 shkurt të vitit 2008.

Top Channel