Nëntori është muaji ndërkombëtar i diabetit dhe kryeministri Edi Rama ka zgjedhur një familje në Kombinat, vajza e të cilëve vuan nga diabeti për tu bërë të ditur dhe vendimin e qeverisë, se në buxhetin e vitit të ardhshëm është parashikuar rimbursimi i fishave të diabetit për fëmijët.

Kryeministri Rama tha se nuk do të ketë vetëm rimbursim të insulinave për të gjitha moshat, por edhe për fishat për 1500 fëmijë në vend të prekur nga kjo sëmundje, dhe kjo hyn në fuqi që nga janari i ardhshëm.

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu bëri të ditur se shpërndarja do të bëhet në rrjetin e lir farmaceutik dhe në qendrat shëndetësore, dhe tërheqja e fishave do të bëhet njëherë në dy muaj.

“Është barrë e madhe po na takon ne të marrim përsipër për fëmijët, sepse për familjet është halli i madh për tu marrë me këtë sëmundje”, tha Rama.

Ai foli dhe për librat falas, projekt që e bëri të ditur pak kohë më parë, ku vitin e ardhshëm për klasat e para deri në të katërt, librat do të jenë falas por me kusht që të kthehen në fund të vitit shkollor.

Top Channel