Lëvizja Socialiste për Integrim ka paraqitur propozimet e saj për buxhetin e ardhshëm për arsimin, përmes deputetëve të saj në komisionin përkatës parlamentar, Kejdi Mehmetaj, Nora Malaj dhe Shezai Rrokaj. Këto propozime do të depozitohen dhe në Kuvend.

Sipas deputetes Mehmetaj, propozimi kryesor i LSI është që buxheti për arsimin të jetë 5% e Prodhimit të Brendshëm Bruto, ku 3% të jenë për arsimin parauniversitar dhe 2% për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor.

“Të rriten pagat e profesorëve qoftë në nivelin parauniversitar dhe atë të lartë. Në të njëjtën kohë propozojmë buxhert të trefishuar për investime në infrastrukturë, më shumë shkolla, ngrohje, laboratore, dhe kushte më të mira për studentë të të gjitha niveleve. Mundësi për tekste falas për të gjithë nxënësit nga klasa parë deri në të nëntën dhe kurrikula të përmirësuara”, u shpreh Mehmetaj.

LSI do të propozojë gjithashtu ndarjen e arsimit profesional nga formimi profesional, duke u shprehur se e para duhet të të qëndrojë në Ministrinë e Arsimit ndërsa formimi profesional duke ndarë konceptin se çfarë kërkon tregu nga gjimnazisti, duke bërë një studim të tregut të punës dhe këshillim karrierë.

Duke folur për projektbuxhetin e qeverisë për vitin e ardhshëm, Mehmetaj tha se ai për Arsimin është më i ulët dhe se vetë ai i 2016-tës, 0.7 % më pak. “Qeveria nuk e ka kohën të mjaftueshme për të punuar për arsimin. Ajo që vihet re sot, shqiptarët shpenzojnë për arsimin rreth dy herë më shumë, se një vend në BE, dhe 4 herë më shumë se vendet e rajonit”, u shpreh Mehmetaj.

Top Channel