Kryeprokurorit Sessions “i rikthehet kujtesa”: Jam në dijeni të…

14/11/2017 20:40

Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Jeff Sessions tha se tani ai kujtonte të ishte takuar me kandidatin e asaj kohe, Donald Trump, dhe ndihmësit e tij, si dhe lidhjet e fushatës me Rusinë ishin diskutuar, pavarësisht se më herët ai kishte dëshmuar se nuk ishte në dijeni të ndonjë kontakti të tillë.

Para një Komiteti të Dhomës së Përfaqësuesve, Sessions tha se kujtonte një takim në mars të vitit 2016, ku ish-këshilltari George Papadopulos ishte i pranishëm, por nuk mbante mend detaje.

Papadopulos, që ka pranuar se ka gënjyer FBI-në për kontaktet e tij me Rusinë, kishte thënë në takim se ai kishte lidhje me Moskën dhe mund të ndihmonte në sigurimin e një takimi mes Trump dhe presidentit rus, Vladimir Putin.

Në janar, Sessions kishte thënë se nuk ishte në dijeni të komunikimeve mes fushatës dhe Rusisë. Muajin e kaluar, ai tha po ashtu se nuk ishte i përfshirë me rusët. Të martën, sidoqoftë, ai u vendos nën një breshëri pyetjesh nga demokratët e Komisionit, e mohoi me vendosmëri të kishte gënjyer për kontaktet me Rusinë.

“Unë nuk mund të pranoj dhe refuzoj akuzat se kam gënjyer. Kjo është një gënjeshtër”, tha Sessions.

Sipas një burimi të afërt me çështjen, në takimin e marsit të vitit 2016, Sessions kishte hedhur poshtë idenë e Papadopulos për kontakte me rusët. Në Komision, ai tha se tani e kujtonte atë shkëmbim deklaratash me Papadopulos.

“Pasi lexova dëshminë e tij dhe duke u përpjekur të kujtoj më shumë, besoj se unë doja t’i bëja të qartë se ai nuk ishte i autorizuar të përfaqësonte fushatën në qeverinë ruse, apo asnjë qeveri tjetër të huaj”, tha Sessions.

Përveç kësaj, Sessions tha se nuk kishte dijeni për asnjë kontakt tjetër mes fushatës dhe zyrtarëve rusë.

Top Channel