KFOR: Në Kosovë deri kur institucionet të ofrojnë më shumë siguri

14/11/2017 17:07

Prezenca e KFOR-it në Kosovë, nuk është e lidhur me ndonjë periudhë të caktuar kohore. KFOR do të jetë këtu derisa institucionet e vendit do të jenë në gjendje të ofrojnë më shumë siguri. Kështu tha komandanti i KFOR-it, gjeneral major Giovanni Fungo, në një konferencë për media, në prag të largimit të tij nga Kosova.

“Prezenca e KFOR-it në Kosovë, nuk është e lidhur me ndonjë periudhë të caktuar kohore. Por është e bazuar në bazë të kushteve. Dhe kur të plotësohen disa kushte, atëherë ne mund të ndryshojmë strukturën, misionin dhe detyrën të cilën KFOR, do ta ketë këtu në Kosovë…. Kushtet janë që institucionet e Kosovës të jenë në gjendje të ofrojnë sa më shumë siguri. Për momentin siguria është e ndarë në tri nivele. Reaguesit e parë i kemi policinë e Kosovës, vija e dytë janë EULEX dhe agjencitë për respektim të ligjit dhe reaguesit e tretë janë KFOR-i”, tha ai, raporton Kosovapress.

Ndërsa tha se situata e sigurisë në Kosovë është mjaft e mirë, Fungo po ashtu foli dhe për ushtrimet e përbashkëta me policinë e Kosovës dhe FSK-në, për të cilët vlerësoi se janë të të njëjtit standard me ushtarët e tyre.

Top Channel