Kosova do të krijojë shumë shpejt ushtrinë e saj në partneritet me NATO-n e synimi është që deri në 2020-n, të bëhet anëtare e aleancës më të fuqishme ushtarake të globit.

Në konferencën ndërkombëtare “NATO dhe Ballkani Perëndimor – Dinamikat regjionale”, Kryeministri Ramush Haradinaj theksoi rolin e aleancës veriatlantike në parandalimin e luftës dhe ekstremizmit dhe ndihmën e dhënë sigurisë nëpër botë. Kosova, u shpreh ai, e kërkon sa më shpejt anëtarësimin në NATO dhe pret që kjo të ndodhë brenda fundit të kësaj dekade.

Haradinaj, argumentoi më tej se, themelimi i Forcave të Armatosura të vendit do të kontribuojë në stabilitetin e Europës. Për një anëtarësim të shpejtë në NATO u shpreh dhe ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli, ndërsa Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli kujtoi se kontributi i Kosovës për paqen dhe sigurinë ndërkombëtarë i kalon kufijtë e rajonit.

Në ato pak vite ekzistencë si shteti i pavarur dhe sovran, Kosova u shpreh ai, ka treguar përkushtim dhe efikasitet ndaj Aleancës globale kundër terrorizmit dhe kërcënimeve që vijnë prej ideologjive që e ushqejnë atë. Kreu i legjislativit, theksoi se FSK-ja ka arritur te gjitha kapacitetet e nevojshme për të dhënë kontributin e drejtpërdrejtë si anëtare e Aleancës Veriatlantike.

“Ne synojmë të bëhemi anëtarë me të drejta të plota te Aleancës Veriatlantike, ne krenohemi me FSK-në, një organizatë e cila është duke bërë një punë të jashtëzakonshme. Natyrisht që presim që shumë shpejt bile nuk jemi vonuar, që të bëjmë transformimin e FSK-së në ushtri të ardhshme të Kosovës. Veprimet tona do të jenë të përbashkëta, nuk do të ketë befasi, por ajo që është siguri është se Kosova do ta ketë ushtrinë e vet bashkë me partnerët e NATO, në ditët në vijim”, u shpreh Veseli.

Top Channel