Doktori i “Portokalli” rrëfen humorin, dramën dhe… sherret prapa skenave!

14/11/2017 16:49

I ftuar në takimin e së martës në “Pop Culture” ka qenë aktori Erdit Asllanaj, i mirënjohur për personazhin e doktorit në programin e humorit “Portokalli”.

Gjatë intervistës, të cilës i ka dhënë edhe tone satirike, Asllanaj ka folur për fillimet e karrierës, preferencat e tij për aktrimin dhe sherret dashamirëse mes tij dhe kolegëve në spektaklin e humorit.

Erdit, si nisi karriera jote?

Erdit Asllanaj: Para se të futesha në shkollë kisha ide të tjera, por shkolla më solli me këmbë në tokë. Arritjet e mia nuk janë të rastësishme, kam objektiva të tjera dhe po punoj.

Është e vështirë për një aktor humori të përshtatet me një rol dramatik?

Erdit Asllanaj: Kohët e fundit i kam provuar të dyja dhe më kanë thënë të kaloj tek drama. Aktori luan njësoj, pastaj perceptohet ndryshe nga publiku.

Po tek femrat kush ka më shumë ndikim, aktori i humorit apo dramës?

Erdit Asllanaj: Dramatiku… jo!

Si është ajo puna e lekëve që merr doktori?

ErditAsllanaj: Unë kam krijuar një personazh. Në jetën reale nuk është se e kam hasur këtë pjesë.

Njerëzit nuk para shkojnë në teatër, por sërish teatri ofron shfaqje, si është puna? Ti vetë ke një shfaqje të re ku pret të jesh pjesëmarrës

Erdit Asllanaj: Është një shfaqje ku jam në hapin e parë dhe premiera do të jetë në teatrin e Gjirokastrës, para vitit të ri. Është një monokomedi dhe unë do ta sjell në mënyrë të thjeshtëzuar.

Po në filma të pëlqen të aktrosh?

Erdit Asllanaj: Kam bërë edhe filma, marrëdhënia me kamerën në film më pëlqen. Kam qenë në filma me metrazh të gjatë e të shkurtër.

Mes teatrit, filmit dhe “Portokalli”, kush merr vëmendjen tënde?

Erdit Asllanaj: Për momentin “Portokalli”. Gjithë vëmendja ime është atje.

Keni grindje me kolegët?

Erdit Asllanaj: Normal që ka grindje. Kam debate të shpeshta me Salsanon, sepse është partneri i përjavshëm dhe ai më sugjeron. Unë i kërkoj mendim, ai ma jep, mua s’më pëlqen, por në fund marrim dhe mendimin e regjisorit dhe vendosim.

Erdit, suksese dhe faleminderit që ishe me ne sonte.

Erdit Asllanaj: Faleminderit juve.

Top Channel