Tërmeti më vdekjeprurës i këtij viti, mbi 400 viktima në Iran e Irak

13/11/2017 19:59

Një operacion i madh shpëtimi po zhvillohet pas tërmetit të fuqishëm që goditi kufirin malor të Iranit me Irakun, duke vrarë mbi 400 vetë e duke plagosur më shumë se 7.000 të tjerë. Bilanci tragjik e bën atë tërmetin më vdekjeprurës në botë për këtë vit.

Shumica e viktimave u shënuan në qytezën perëndimore të Iranit, Sarpol-e-Zahab, 15 km larg kufirit, dhe në pjesë të tjera të provincës së Kermanshah. Spitali kryesor i qytezës u dëmtua rëndë, duke e bërë të pamundur trajtimin e qindra të plagosurve.

Ekipet e shpëtimit po kërkojnë për të mbijetuar nën rrënojat e godinave të shembura, ndërsa nxjerrja e një gruaje dhe foshnjës së saj shtoi shpresat për gjetjen e të tjerëve. Uji i pijshëm dhe elektriciteti mungojnë në disa qytete, ndërsa shumë njerëz po qëndrojnë prej orësh në ambient të hapur, duke sfiduar temperaturat e ulëta.

Organizatat bamirëse ngrenë alarmin për 70 mijë personat, që sipas tyre kanë nevojë për strehim pas tërmetit. Në Irak, viktimat janë 9, sipas “Gjysmëhënës së Kuqe”. Lëkundja që shkaktoi edhe rreth 500 të plagosur u ndje në Irbil, Kirkuk, Basra, e gjithashtu në kryeqytetin Bagdad, ku njerëzit dolën të tmerruar nëpër rrugë.

Shumë shtëpi në rajonin e prekur malor, ku banojnë kryesisht kurdët, janë ndërtuar me blloqe balte, gjë që i bën ato tepër të rrezikuara nga tërmetet e forta, si ai i së dielës. Rrëshqitjet e dheut e kanë vështirësuar edhe më shumë punën e ekipeve të shpëtimit për të mbërritur në zonat e prekura rurale.

Tërmeti me magnitudë 7.3 u regjistrua në orën 21:18 me atë lokale, rreth 30 km në jugperëndim të Halabja, pranë kufirit verilindor me Iranin. Lëkundja ishte aq e fortë, sa u ndie nga Izraeli deri në Pakistan, në Turqi, Emiratet Arabe, Kuvajt dhe Liban. OKB-ja vlerëson se mbi 1.8 milionë njerëz jetojnë në një rreze prej 100 km nga epiqendra.

Top Channel