Strategjia “vdisni urie ose dorëzohuni”, “AI”: Assadi, krime kundër njerëzimit

13/11/2017 18:46

Forcat besnike të Bashar al-Assadit në Siri kanë kryer krime kundër njerëzimit, përmes strategjisë së tyre “vdisni urie ose dorëzohuni”, ndërsa rrethimet e tyre kanë shkatërruar zonat e kontrolluara nga opozita.

Ky është përfundimi i raportit të “Amnesty International”, pas një studimi të gjerë gjatë muajve të kaluar në Siri. Në raport ekzaminohen 4 marrëveshje mes regjimit të Assadit dhe opozitës në Aleppo, Homs, Darayya, si dhe paktin për këmbimin e 4 qyteve të rrethura, të cilat sollën zhvendosjen me dhunë të dhjetëra mijëra civilëve, pas vitesh rrethimi dhe bombardimesh.

Raporti fajëson të gjitha palët në konflikt për shkeljen e ligjit ndërkombëtar, por thekson se strategjia e regjimit që ndalonte ushqimet dhe ndihmat të shkonin në zonat civile, ndërsa avionët i bombardonin ato, është krim lufte dhe krim kundër njerëzimit.

“Në thelb, marrëveshjet i mundësuan qeverisë që të rimerrte kontrollin e territorit, në fillim duke i vdekur urie dhe më pas duke dëbuar banorët që kundërshtonin sundimin e saj”, shkruhet në raport.

Aktualisht besohet se mbi gjysmëmilioni civilë vazhdojnë të jetojnë në zona të rrethura në Siri dhe organizatat humanitare bëjnë thirrje për ndërhyrje të menjëhershme për t’i shpëtuar ata nga vuatjet e tmerrshme.

Por strategjia “vdisni urie ose dorëzohuni” e Bashar al-Assadit është ende në funksion dhe komuniteti ndërkombëtar nuk po bën asgjë për ta ndalur.

Top Channel