Kosovë, fillon fushata për raundin e dytë të zgjedhjeve

13/11/2017 11:13

Në Kosovë, ka nisur edhe zyrtarisht fushata, për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë të komunave që do të zhvillohen më 19 nëntor. Gjatë pesë ditëve të ardhshme, kandidatët për kryetarë komunash, do të kenë mundësinë që edhe një herë t’i shpalosin programet e tyre.

“Të dielën e ardhshme raundi i dytë i zgjedhjeve mbahet në 19 komuna për kryetarë të komunave, ndërkaq në komunën e Parteshit do të rivotohet vetëm për kryetar të komunës. Në 19 komunat e Kosovës, ku do të mbahet raundi i dytë, janë 614 qendra të votimit, me gjithsej 1,777 vendvotime, të cilat do të hapen për këtë raund”, thotë Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ në Kosovë, raporton Evropaelirë.

Sipas analistëve politikë, gara më interesante pritet të zhvillohet në komunat më të mëdha, si Prishtina, Mitrovica, Gjakova, Ferizaj e Prizreni, por që dominion Prishtina.

Në votimin e 19 nëntorit Lidhja Demokratike e Kosovës garon në 12 komuna, Partia Demokratike e Kosovës në 9, Lëvizja Vetëvendosje në 6 komuna, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në 5 komuna, kurse Aleanca Kosova e Re, Nisma për Kosovën dhe Alternativa nga një komunë.

Top Channel