Grezda shënon golin e parë me përfaqësuesen: Ia dedikoj babait

13/11/2017 23:53

Eros Grezda shënoi golin e tij të parë me përfaqësuesen e Shqipërisë, në fitoren 2-3, në Antalia ndaj Turqisë. Sulmuesi gjakovar tregoi për Supersport se ky gol i dha një emocion të pamasë, pavarësisht se ishte thjesht një ndeshje miqësore.

“Të them të drejtën u gëzova shumë për golin e parë me fanellën e kombëtares, pavarësisht se ishte një ndeshje miqësore. Vrapova drejt pankinës nga entuziazmi dhe përpara më doli Panucci, që përqafova të parin dhe ndava gëzimin”, tha gjakovari.

Eros Grezda është një nga të besuarit e Panuccit, pasi ka luajtur gjithmonë si titullar, ndërsa sulmuesi i Osijekut në Kroaci tregon se po përshtatet gjithmonë e më shumë me ekipin dhe po arrin të japë më të mirën në fushë.

“është ndeshja ime e 5-të me përfaqësuesen dhe ende nuk i njohim mirë lëvizjet e njëri-tjetrit. Me kalimin e kohës po harmonizohemi edhe më mirë dhe besoj se do të kem mundësi të jap më të mirën time”, tha Grezda.

Në fund, gjakovari ka edhe një dedikim për golin e parë me përfaqësuesen.

“Golin ia dedikoj babait tim, që më ka mbështetur dhe është gëzuar shumë që unë u bëra pjesë e përfaqësueses”, tha Grezda.

Top Channel