Rebel Wilson: Edhe mua më kanë ngacmuar

12/11/2017 11:44

Makineria e fshehtë e ngacmimeve në Hollivud nuk përfshinte vetëm femrat më të bukura.

Kilet e tepërta të saj, nga të cilat nuk ka ndërmend të heqë dorë, nuk e kanë shpëtuar as aktoren Rebel Wilson nga fenomeni i përhapur që po trondit industrinë e filmit.

Përmes Twitter-it, aktorja australiane tregoi se një yll i ekranit, në një pozicion mjaft të lartë, i ka kërkuar në mënyrë të përsëritur kryerjen e një akti të turpshëm. Unë refuzova, shkruan ajo, ishte shumë e neveritshme.

Miku i tij, sipas 37-vjeçares, kishte tentuar ta filmonte incidentin përpara se ajo të dilte nga dhoma. Rebel iu ankua studios filmike, por thotë se më vonë u kërcënua nga njëri prej përfaqësuesve të yllit. Aktorja e “Pitch Perfect” flet edhe për një incident të dytë, të shënuar këtë herë në një dhomë hoteli gjatë një takimi atje me një regjisor në zë. Asgjë fizike nuk ndodhi sepse gruaja e personit në fjalë e mori në telefon e filloi ta akuzonte se ai flinte me aktoret.

“Unë përfitova nga momenti e u largova menjëherë prej andej”, shpjegon Rebel.

Nëse unë dëshmoj sjellje të tilla, vazhdon ajo, nëse më ndodh mua vetë apo dikujt tjetër që njoh, nuk kam për të heshtur më.

Orteku i akuzave në Hollivud nuk ka të ndalur që prej shpërthimit të skandalit të Harvey Wenstein. Ai ka përfshirë edhe figura të njohura si Kevin Spacey apo Steven Seagal e ndoshta nuk do të ndalet me kaq.

Top Channel