Ministrat e Jashtëm të Greqisë dhe Shqipërisë përfunduan bisedimet treditore në Kretë, ku për herë të parë hodhën në tryezë të gjitha temat që shqetësojnë të dy vendet.

Tirana dhe Athina deklarojnë se bisedimet u zhvilluan nën një atmosferë miqësore dhe konstruktive, ku u krye një punë substanciale.

“Të dyja palët pranuan rëndësinë e dialogut në zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura dhe ranë dakord për hapat e mëtejshëm që duhen ndërmarrë për të arritur rezultate pozitive, duke u mbështetur në vlerat dhe normat europiane, në të mirë të të dy vendeve dhe popujve të tyre”, thuhet në një deklaratë të diplomacisë shqiptare.

Tepër e rëndësishme për Athinën zyrtare edhe formulimi i një marrëdhënieje të re për atë që quhet “marrëveshja e detit”, ku pas rrëzimit të paktit të vitit 2009, tashmë palët diskutuan nga pika zero.

Duket se palët kanë një akord për këtë çështje dhe Greqia ka pranuar të negociojë dhe të pranojë një zgjidhje të ndërmjetme, në bazë të së drejtës ndërkombëtare, e cila duket se ka kënaqur Tiranën.

Burimet nga takimi i thanë Top Channel se, shumë shpejt pritet që për këtë çështje të ketë një marrëveshje të re mes palëve. Ndërkohë, Athina kërkoi zgjidhjen e çështjes së varrezave të ushtarëve grekë, ndërsa për çështjen çame, edhe pse u bë pjesë e axhendës dhe pala shqiptare e cilëson imediate zgjidhjen, ajo greke kërkoi që të diskutohet në një periudhë të mëvonshme.

Kjo pasi palët ranë dakord që të gjendet një mënyrë me më pak ngarkesë negative dhe që çështja të jetë më e pranueshme për opinionin grek. Ndërkohë, ministrat biseduan për tekstet shkollore dhe heqjen e ngarkesave negative në to. Athina kërkon që të hiqen referimet për zonën e Çamërisë. Po ashtu, Kotzias ka kërkuar respektimin e të drejtave të minoritetit grek në Shqipëri, ndërsa Bushati ngriti çështjen e heqjes së ligjit të luftës, i cili mban peng pronat e shtetasve shqiptarë dhe atyre minoritarë me shtetësi shqiptare në territorin grek.

Për këtë, palët ranë dakord se ka një zgjidhje dhe një formulë ligjore, por ajo i përket palës greke, e cila u zotua se shumë shpejt do të ketë një përgjigje. Dy ministrat do të takohen shumë shpejt në Shqipëri. Bushati u kthye nga Kreta me avionin e Kotzias në Rinas, ku pasi drekuan në aeroport, shefi i diplomacisë greke u nis drejt Brukselit për takimin e ministrave të Jashtëm të BE-së.

Top Channel