Mbështetja e fermerëve. Ahmetaj: Pajisuni me NIPT që të fitoni rimbursimin e TVSH-së

12/11/2017 12:50

Ministri i Financave, Arben Ahmetaj u ka bërë thirrje fermerëve që të pajisen me NIPT për të përfituar rimbursimin e TVSH-së, por edhe mbështetje me parà në dorë nga buxheti.

“Nëse ti vjen me NIPT, unë të rimbursoj 20%. NIPT-i është bërë vetëm për të favorizuar fermerët”, sqaroi Ahmetaj.

Vitin e ardhshëm, qeveria do të japë 20 milionë euro subvencione për fermerët vetëm nga buxheti i shtetit. Por, ministri i Bujqësisë Niko Peleshi tha se shuma do të jetë disa herë më e lartë se kaq për shkak të fondeve të Bashkimit Europian.

“Vitin e ardhshëm shpresojmë që të bëjmë më në fund efektiv fondet e IPARD-it. IPARD-i është një program i Bashkimit Europian, 93 milionë euro për të mbështetur fermerët dhe unë jam i bindur që për herë të parë, në vitin 2018, ne do të kemi më shumë parà nga sa janë kërkesat e fermerëve”, deklaroi Peleshi.

Bujqësia kontribuon 20% të prodhimit kombëtar. Por fermerët vuajnë mungesën e financimeve, jo vetëm nga buxheti i shtetit, por edhe bankat private.

Top Channel